“Filmat bëheshin për të na kujtuar kuadratin”; Rama: Gjynah që Ndrek Luca jetoi kur jeta ishte bardhezi
Nga Edi Rama
HOMAZH
NDREK LUCA hyn tek korifejtë e kinemasë sonë, prej kohës kur bardhezi ishte jeta jo vetëm filmat, e kur edhe ne spektatorët ishim të gjithë në role të paracaktuara, të bardhët dhe të zinjtë. Qysh në lindje ishim njerëz brenda kuadrateve të shtëpive njësoj dhe figura jashtë kuadratit të shtëpisë, ku luhej përditë një shah allasoj, që kishte një parim të thjeshtë, të bardhët fitonin dhe të zinjtë humbnin. Njerëz me botën tonë të brendshme dhe ushtarë, kuaj, oficerë, në sytë e botës jashtë nesh.
Filmat bëheshin për të na kujtuar kuadratin, në errësirën e kinemasë ku asnjë prej nesh nuk dukej, njësoj si bota jonë e brendshme, po ku syri që na kontrollonte kudo të gjithëve fuste në të, në brendësinë e mendjes e të shpirtit tonë, dritën e tij diktuese, formuese, hetuese, përmes lojës me historitë, personazhet, aktorët e paguar nga shteti për të argëtuar e farkëtuar ushtarët e vet.
Loja funksiononte, kinematë ishin plot, filmat ecnin shumë dhe kur erdhën edhe televizorët “Iliria”, ca si dollapë me sy xhami ose sy xhami si dollap, e diela u bë si dita e mezipritshme e dollapit që hapej e na fuste në shtëpi aktorët. Ndrek Luca ishte mes tyre njëri ndër më tërheqësit, sidomos kur luante të zinjtë, sepse gati-gati fitonte dhe megjithëse e dinim që s’kishte asnjë shans, prapësprapë na fuste ankthin. Dhe kur e shihnim me të bardhët ishte lehtësim i madh, njësoj si kur një lojtar i madh me skuadrën kundërshtare që të ka nxirë jetën, vjen e luan për skuadrën tënde.
Krejt rastësisht, në një televizor të hapur diku që rrinte aty si për zbukurim, pa zë, pasi s’e ndiqte askush, e pashë Ndrekën para pak kohësh me atë mushamanë e zezë, në anijen e famshme të Duelit të Heshtur. Çfarë aktori! Dhe sa gjynah që i qëlloi të jetonte kur jeta shqiptare ishte bardhezi dhe artistët ishin gurë në lojën e paracaktuar të asaj jete. Sidoqoftë, rolet e Ndrek Lucës ngjajnë sot e gjithë ditën si shkëlqimet xixëlluese mbi atë mushamanë e zezë në anijen e një kohe të vdekur. Dhe tamam sot, në përvjetorin e lindjes e kujtoj si një nga heronjtë e përrallave të fëmijërisë.
Fraksion.com