COVID- 19: Ishujt Kanare shpallen zona me rrezik
Industria e turizmit në Spanjë, e cila po vuan prej muajsh mori edhe një goditje vdekjeprurëse: ishujt Kanare shpallen zona rreziku.
Përfshirja e ishujve Kanare në zonat me rrezik nga Instituti Federal i Epidemiologjisë Robert Koch (RKI) ishte një gjë që pritej. Si zona me rrezik ato konsiderohen prej korrikut edhe nga Britania e Madhe.
Si kriter qendror për klasifikimin nga Gjermania të një zone si zonë rreziku përdoret numri i të infektuarve rishtas për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit. Nëse ky numër është më shumë se 50 zona shpallet si zonë me rrezik. Në ishujt Kanare numri i të infektuarve rishtas për 100,000 banorë në shtatë ditët e fundit ishte mbi 95.
Për shkak të këtyre zhvillimeve negative presidenti rajonal i ishujve Kanare, Ángel Víctor Torres, shpalli disa ditë më parë kufizime të reja të cilat i quajti “drastike”. Ato vlejnë sidomos për ishujt më të prekur Gran Canaria dhe Lanzarote ku të gjithë duhet të mbajnë maska në vendin e punës dhe ku janë ashpërsuar rregullat për restorantet dhe baret.
Përfaqësues të industrisë së turizmit në ishujt Kanare, e cila është goditur keq prej pandemisë theksuan para disa ditësh se klasifikimi i pritur gjerman si zonë me rrezik prej Coronës do t’u japë një “goditje vdekjeprurëse” sipërmarrjeve dhe firmave turistike. Industria e turizmit përbën rreth 35 përqind të të ardhurave rajonale.
Fraksion.com