AktualitetBota+Të fundit

COVID-19 e zhyt Australinë në recesion

Pandemia Corona godet rëndë ekonominë e Australisë. Në tremujorin e dytë ekonomia ra më fort se kurrë dhe vendi ra në recesion.

Si rezultat i krizës së Coronës, ekonomia e Australisë shënoi në tremujorin e dytë rënien më të lartë se kurrë. Siç njoftoi Agjencia Kombëtare e Statistikave në Canberra prodhimi i brendshëm bruto (PBB) ra në muajt prill deri në qershor me shtatë përqind krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Kjo është rënia më e fortë që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave tremujore në vitin 1959. Rënia është madje edhe pak më e lartë se sa kishin parashikuar ekspertët. Meqenëse vendi kishte regjistruar një rënie me 0.3 përqind të PBB-së edhe në tremujorin e parë, Australia gjendet tani në recesion për herë të parë që nga viti 1991. Ekspertët flasim për recesion kur prodhimi ekonomik bie për dy tremujorë radhazi.

Shifrat tregojnë për një ndikim “shkatërrues” të pandemisë së virusit Corona në ekonominë australiane, tha ministri i Financave, Josh Frydenberg. “Rekordi ynë prej 28 vjetësh rritjeje ekonomike me radhë zyrtarisht ka marrë fund.” Arsyeja për këtë është kjo “pandemi që ndodh një herë në një shekull”.

Arsyeja kryesore e rënies së ndjeshme në tremujorin e dytë ishte rënia e konsumit privat. “Kjo është një ditë ogurzezë për Australinë,” tha kryeministri, Scott Morrison në Parlament. Më shumë se një milion vetë kanë humbur vendet e tyre të punës që nga marsi për shkak se masat e karantinës për të luftuar pandeminë kanë paralizuar degë të tëra të ekonomisë.

Megjithë paketat për stimulimin e ekonomisë dhe ndihmat e tjera ekonomike në vlerë rreth 185 miliardë euro, “rruga për të dalë nga recesioni i Coronës do të jetë e gjatë,” tha kryeekonomistja e institutit BIS Oxford Economics, Sarah Hunter. Sipas saj ekonomia e Australisë mund të kthehet në nivelet që ishte para epidemisë nga fillimi i vitit 2022.

Rivendosja e karantinës në provincën e rëndësishme të Victoria do ta pengojë rimëkëmbjen e shpejtë të ekonomisë. Ministri i Financave Frydenberg tha se kjo do të sjellë një tendosje “të rëndë” të ekonomisë në tremujorin aktual. Rritja e infeksioneve të reja bëri që qeveria të rivendosë në Melburn një karantinë disajavore.

 

Fraksion.com