Vokshi-Strazimiri: Në Ishëm, shkollat e dëmtuara nga tërmeti nuk janë gati
“Në fshatrat e njësisë administrative Ishëm të Durrësit, shkollat e dëmtuara nga tërmeti nuk janë gati. Fëmijët do të hyjnë në shkolla që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë nga COVID-19”, thanë sot në një deklaratë për mediet, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri.
Vokshi tha se “vetëm pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor në kushte të pandemisë së COVID-19, në njësinë administrative Ishëm të bashkisë Durrës, shkollat nuk janë gati për të pritur nxënësit me kushtet e përcaktuara nga protokolli i sigurisë”.
“Në këtë zonë, fëmijët do të nisin një vit të vështirë mësimor pasi shkollat e dëmtuara nga tërmeti i vitit të shkuar nuk janë rindërtuar ashtu siç kishte premtuar qeveria”, tha ajo.
Po ashtu, përfaqësuesit e Partisë Demokratike, Albana Vokshi dhe Gent Strazimiri u ndalën në tre fshatra të kësaj njësie ku dëgjuan nga afër shqetësimet e mësuesve, prindërve dhe vetë nxënësve.
“Në fshatin Lalëz e vetmja shkollë funksionale do të presë të gjithë ciklet e klasave nga fëmijët e kopshteve deri tek nxënësit e gjimnazit, pasi shkolla tjetër është dëmtuar plotësisht nga tërmeti”, tha Vokshi.
Fraksion.com