“Shqiptarët ekzistojnë”; Rama: Lufta e Vlorës një fitore ushtarake nga më të pamundurat në histori
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama, në ceremoninë e zhvilluar për 100-vjetorin e Luftës së Vlorës.
“Sot, 100 vjet më parë, luftëtarët e Vlorës hynë triumfues në qytetin e çliruar, pas një lufte nga më të pabarabartat e mundshme dhe një fitoreje ushtarake nga më të pamundurat në histori”, – tha Rama.
Për këtë arsye, Rama tha se “tek Lufta e Vlorës me të drejtë mund të thuhet se gjendet një nga ato momente formuese të organizmit të ri të shtetit shqiptar dhe faktikisht kjo na bën të gjithëve që vlonjatëve t’u jemi borxhlinj jo thjesht dhe vetëm për pavarësinë, por dy herë borxhlinj, edhe për arsyen e Luftës së Vlorës”, – tha Rama.
Kryeministri kujtoi se “në vitin 1987, kur ‘Flamurtari’ i Vlorës mundi ‘Barcelonën’ e shumëherë kurorëzuar me tituj kombëtarë dhe ndërkombëtarë, shtypi ynë diku pat shkruar për një fitore të organizimit të hekurt komunist përballë kapitalizmit skllavërues për masën”.
“Ndërsa aty ku kishte gazetari të mirëfilltë, në Spanjë, shtypi me admirim të posaçëm përshkroi sagën e një ekipi të varfër, të papaguar dhe të papërkrahur që arriti të korrte një fitore që për nga përmasat ishte po aq e pamundur sa ajo e Davidit kundër Golias. Çfarë lidhje ka suksesi i ‘Flamurtarit’ në 1987 dhe goli i Sokol Kushtës me arsyen pse jemi sot këtu, Luftën e Vlorës në 1920 dhe figurën e Selam Musait? Besoj që kanë analogjinë e të pamundurës e cila është në ADN-në e gjakut të vlonjatëve, sikundër më shumë sesa një herë historia jonë e përbashkët ka folur”, – tha Rama.
“Një popull i çuditshëm me një aftësi të hatashme për të tejkaluar kufijtë e asaj që është e mundur dhe për të realizuar në momente të caktuara diçka të pamundur. Dhe faktikisht, Lufta e Vlorës është një nga luftrat më të veçanta në historinë e përbotshme të luftërave për nga përfundimi i saj. Një luftë e fituar nga pala që ishte objektivisht e humbur”, – tha Rama.
Kryeministri citoi albanologun Edvin Xhejks, i cili në librin e tij “Shqiptarët” përshkruan fanfarën madhështore me të cilën u gdhi qyteti i Vlorës në 3 shtator 1920, një ditë pasi trupat e huaja u larguan nga vendi, apo siç njihej në zhargonin e kohës dhe siç ne e mësuam nga historia në atëkohë kur historia mësohej me pathos: U hodhën në det.
“‘Nëpunësit ushtarakë dhe civilë planifikuan një organizim madhështor triumfal’, shkruan Edvin Xhejks. Ata ftuan bandat muzikore ‘Vatra’ dhe ‘Afërdita’, 23 muzikantë elbasanas u nisën me kuaj në Vlorë, netët i kaluan në qytete të ndryshme por hyrja triumfale në Vlorë ngjalli emocione të pakrahasueshme patriotizmi dhe hareje. Festa vazhdoi me ditë me radhe me marshe e këngë patriotike që shoqëroheshin shpesh nga interferencat e këngëve të grupeve të ushtarëve dhe qytetarëve të hareshëm. Por mes tingujve të muzikës, ata që shtypi italian i etiketoi si barinjtë heroikë, të njëjtët që ngjallën një tërbim të papërmbajtshëm të një editorialisti të gazetës ‘Avanti’, Benito Musolinit, që i kushtoi një shkrim të posaçëm me tërbim kësaj që ne sot kujtojmë si ngjarje, 2 vjet para se ai vetë të merrte pushtetin në Romë. Realizoi diçka të një magnitude që askush nuk e kuptoi saktë si ndodhi në kohën kur ndodhi”, – tha Rama.
Kryeministri citoi po ashtu edhe Tajar Zavalanin, një penë e spikatur e BBC në shqip për dekada të tëra, pas ikjes si i përndjekur nga komunizmi, i cili shpjegon në një libër të tij të shkruar në vitin 1966 se, “marrëveshja për lirinë e Vlorës nga sundimi i huaj ishte i pari dokument ndërkombëtar që nënshkroi qeveria shqiptare si pushtet sovran dhe me kushte të barabarta”.
Kjo, shkruan Zavalani, pati një influencë të dobishme mbi pozitën ndërkombëtare të Shqipërisë dhe e përshpejtoi njohjen e saj si shtet i pavarur brenda kufijve të 1913-ës.
Rama tha se “sot në këtë përvjetor jubilar është momenti për të kujtuar jo thjesht heroizmin e kësaj ngjarje në vetvete, por edhe peshën e kësaj ngjarje, jo thjesht si një akt kundërshtie ndaj një force të huaj në territorin sovran, por edhe si një akt këmbënguljeje në vazhdën e ndërtimit të një shteti shqiptar, që në atë kohë ishte në pelenat e veta”.
“Siç shkruan Teki Selenica tek ‘Shqipëria’ në 1927: … historia me të drejtë do të pyesë: po me se luftonin? Bëhej fjalë për një trup njerëzish që nuk mund të quhej ushtri, se ushtri nuk ishte. Nuk mund të konsiderohej një formacion i organizuar, sepse i tillë nuk ishte, dhe që kishte përballë një nga ushtritë më moderne të botës në atë moment. Dhe përgjigjja thotë Teki Selenica është: luftonin me zemrën e shqiptarit dhe me shpirtin e një kombi që për të jetuar kishte vendosur të vdiste. Se armë nuk kishin vetë, ca të ndryshkura, por edhe ato pa ndonjë municion e pa teklif luftëtarët e Vlorës kishin marrë gunën në sup, torbën në krah e një copë bukë misri të thatë nga shtëpia me kanën në dorë, gjysmë opinge në këmbë dhe pak ndërresa dhe kështu në një raport 1 me 5 ndaj një prej ushtrive më moderne të botës në atë kohë, kjo turmë njerëzish e motivuar nga diçka që vinte nga shumë thellë dhe e bashkuar si me magji në një drejtim, ia doli të realizojë një nga fitoret më të bukura dhe më mbresëlënëse në historinë e strategjisë së betejave dhe luftërave që studiohen në akademitë e specializuara”, – tha Rama.
Kryeministri solli po ashtu në vëmendje se “hetimi i nisur në vitin 1921 nga gjykatësi i Gjykatës së Apelit të Napolit, Augusto Ferraro, mbi shkaqet e humbjes, konfirmon se triumfi i shqiptarëve ishte sa i pamundur aq edhe i papritur, një rrufe në qiell të pastër për palën tjetër”.
“Ky raport tregon edhe diçka tjetër që është me vlerë të sillet. Rritja e çmimit të bukës, por mbi të gjitha, ndërhyrja e SHBA e detyroi Romën zyrtare të përfundonte pushtimin ushtarak të Vlorës. E theksoj këtë, se është një moment shumë i veçantë, por besoj se sot është momenti për të nënvizuar faktin se edhe në atë luftë, edhe në atë kohë, Shqipërisë i janë gjendur në krahë miq që e ndihmuan të mos i ndodhte ajo që Ismail Qemali tha nga ballkoni i mëvetësisë: Shqipëria rrezikonte sërish të vishej me të zeza. E ndihmuan më parë dhe më pas. Pa mbështetjen e palëkundur të Presidentit Uillson, në Konferencën e Paqes së Parisit, pavarësisht heroizmit të Vlorës, Traktati i fshehtë i Londrës mund ta kishte veshur sërish me të zeza Shqipërinë”, – tha Rama.
Por amerikanët, sipas tij, “nuk u mjaftuan në atë kohë vetëm me një mbështetje diplomatike, por e mbështetën atë që ndodhi edhe përmes shtypit të tyre të lirë”. “Qysh prej asaj kohe si në ‘Washington Post’ dhe në ‘Chicago Tribune’ gjenden artikuj që flasin me admirim të madh për shqiptarët dhe për kontributin e tyre përmes këtij akti”.
Rama tha se “pati edhe të tjerë, Papa Benedikti 15, e pavdekshmja Edith Durham, Justin Godart, i njohur dhe i respektuar në Shqipëri, një fraksion i vogël, ose më saktë i margjinalizuar i politikës italiane dhe një pjesë e opinionit italian. Por ndër të tjerë ka edhe një personazh shumë interesant i palës tjetër, marshalli italian Vincenco Xhovani që ndaloi shpërthimin e depos së madhe të municioneve që mund të kishte rrafshuar, në mos gjithë qytetin, një pjesë të madhe të qytetit përpara largimit”, – tha Rama.
Kryeministri Rama theksoi edhe rolin e rëndësishëm që patën komunitetet fetare, kishat xhamitë dhe teqetë, si dhe shumë priftërinj, hoxhallarë, baballarë dhe imamë.
“Janë në fakt një segment i panjohur të paktën për shumë prej nesh që historinë e Vlorës e mësuam të shkruar nga fitimtarët e asaj historisë tjetër më mbrapa, për të cilët e dimë shumë mirë që gjithë kjo kategori kontributorësh në historinë e popullit shqiptar u fshi sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Sepse çdo trevë, thirrjen për t’iu bashkuar Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare në atë kohë e udhëhoqën përfaqësuesit e klerit të të gjitha besimeve. Ishin hallkat e të vetmit zinxhir institucionesh që e mbështetën dhe që i lidhën bashkë në influencën e tyre shpirtrat e gatshëm dhe të revoltuar të atyre që pastaj u bënë protagonistët e mëdhenj”, – tha Rama.
Një tjetër element i rëndësishëm që meriton sot të kujtohet, sipas tij, “është pjesëmarrja e pazakonshme e grave në atë luftë në raport me çdo luftë tjetër të mëparshme të shqiptarëve”. “Ishte jo vetëm e drejtpërdrejtë, por ishin gratë që organizuan një rrjet shitjesh të bizhuterive për mjekime dhe për të asistuar luftëtarët. Padyshim të gjitha këto nuk e bëjnë aspak më pak të rëndësishme, përkundrazi thjesht tregon se çfarë peshe kishte ajo bërthamë luftëtarësh që e morën përsipër këtë çmenduri, nëse do të niseshin nga një arsyetim i ftohtë logjik dhe që e bën realitet. Sepse ishte një arsyetim i bërë jo me mendje, por me zemër”, – tha Rama.
Përhapja e epopesë së kësaj lufte në gjithë Shqipërinë, sipas tij, “solli më pas edhe një valë që zgjati me këngë që i përkasin pikërisht nderimit të Luftës së Vlorës”.
Rama tha se “nderimi i këtyre ngjarjeve bëhet përmes ndreqjes me kujdes dhe sa me më shumë objektivitet të gabimeve që trazuan shumë shpirtrat e tyre në shekullin që kaloi, por jo vetëm”. “Trazojnë shpirtrat e tyre, jo vetëm të Vlorës, të të gjithëve, përmes penës së njerëzve që pa pasur atributet e mjaftueshme, njohuritë e mjaftueshme edhe pa pasur sensin e mjaftueshëm të modestisë intelektuale, ndërhyjnë duke e ngacmuar gabim historinë”, – tha Rama.
Kryeministri u shpreh se “gjenerata ime dhe ata pak më të mëdhenj në moshë, kanë fatkeqësinë e mësimit të historisë së shkruar nga një palë fitimtarësh”.
“Për fat të keq ky mëkat i një pale që përpiqet të imponojë historinë e shkruar prej saj me logjikën e fitimtarit nuk u ndërpre me fundin e diktaturës komuniste, por u ripërsërit në një formë karikaturale shumë më pak serioze, por mjaftueshmërisht perverse, duke sjellë dëme të tjera dhe duke dëmtuar edhe një brez tjetër më të ri akoma, që nuk e pati fatkeqësinë që historinë ta mësonte me imponim në mënyrë të njëanshme nga fitimtarët”, – tha Rama.
Dua të besoj, vijoi ai, “se pak nga pak, njerëzit dhe institucionet e kësaj fushe, jo politika, jo qeveria, as opozita, por njerëzit që dinë se çfarë thonë, të flasin për historinë, të mund të ndreqin shumë shtrembërime të vjetra e të reja dhe të krijojnë për të gjithë, përfshi edhe politikën, një sens respekti për mendimin e kultivuar dhe kualifikuar të historianëve”.
“Do të ishte nderimi më serioz që do t’i bëhej Luftës së Vlorës dhe gjithë luftërave të tjera. Shlyerja e një borxhi shumë të madh”, – tha Rama.
Fraksion.com