Lufta Kombëtare e Vlorës; Meta: Shqiptarët morën në dorë fatet e veta
“Lufta Kombëtare e Vlorës është simboli i qëndresës së popullit tonë ndaj çdo projekti sundues, model i reagimit të vetëdijes atdhetare të shqiptarëve që marrin në dorë fatet e veta në momentet më kritike të kombit dhe Shqipërisë”.
Kështu u shpreh sot Presidenti Ilir Meta, në ceremoninë e organizuar në 100-vjetorin e Luftës Kombëtare të Vlorës, e cila u zhvillua mbrëmjen e sotme në Sheshin e Flamurit, në qytetin bregdetar.
Meta tha se “Lufta e lavdishme e Vlorës mbetet edhe sot një krenari historike dhe një ngjarje vendimtare për pavarësinë e Shqipërisë”.
“Nga “Sheshi i Flamurit”, zemra e Vlorës që rreh vetëm Kuq e Zi, pata privilegjin të nderoja sot me mirënjohje të thellë disa nga patriotët, trimat dhe kapedanët që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë, të cilët na kanë lënë si trashëgimi mesazhin e përjetshëm, që vlejti një shekull më parë, vlen ende sot e në të ardhmen, se në vendin e shqiponjave lindin gjithmonë shqiponja që do e mbrojnë kurdoherë Shqipërinë, Atdheun tonë”, tha ai.
Meta tha se “sot nderojmë Vlorën, komandantët, ata që hartuan ultimatumin, dhe ata që e zbatuan me gjak”.
“Kujtojmë dhe vlerësojmë Diasporën në Amerikë, që pati rëndësi shpëtimtare. Kur populli merr në dorë fatet e veta, ato janë të sigurta. Lufta e Vlorës është burim frymëzimi dhe vetëbesimi për popullin shqiptar”, tha Presidenti.
Fraksion.com