Charlie Hebdo: Një proces gjyqësor që prek shpirtin e Francës
Sulmi terrorist ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” shënoi në 2015-n fillimin e një serie të vrasjeve me motive islamiste në Francë. Ato e kanë ndryshuar vendin. Më 2 shtator fillon përballja juridike me terroristët.
“Tani e kanë radhën të tjerët”
Një përmbyllje simbolike megjithatë ka pasur. Redaksia e “Charlie Hebdo” u largua nga adresa e mëparshme, sot ajo ndodhet në një vend të paditur për publikun. Kush kërkon të intervistojë botuesin aktual, Laurent Sourissseau, i njohur si “Riss”, duhet të kalojë tre breza me trupa të sigurisë. Kur vëllezërit Cherif dhe Said Kouachi më 7 janar 2015 hynë në zyrat e redaksisë së “Charlie Hebdo” dhe vranë aty 11 vetë me kallashnikov, një plumbi goditi në shpatull edhe “Riss”. 53 vjeçari mbijetoi. Por karikatura të Mohamedit, ai nuk do të vizatojë më, kështu u shpreh atë vit Riss. Profeti u bë karikaturë për të mbrojtur parimin, që ne duam të vizatojmë, çfarë të duam. Tani e kanë radhën të tjerët.
Për këtë parim karikaturesk, revista satitike nuk ka gjetur shumë mbështetës në vitet pas atentatit. “Unë nuk dua që një skeç për Mohamedin të më pengojë që të shoh se si rriten fëmijët e mi”, kështu arsyetoi autori dhe humoristi francez, Stephane Guillon me rastin e përkujtimit të atentatit, tre vite më pas.
Eufori pastaj rënie
Në fillim u duk sikur sulmi terrorist e ktheu të gjithë vendin në mbrojtës të lirisë së mendimit dhe artit. Më shumë se 1,5 milionë vetë dolën më 11 janar në rrugë për të shprehur solidaritetin me Charlie Hebdo dhe për të demonstruar për lirinë e mendimit. Bashkë me ta më shumë se 40 krerë shtetesh nga e gjithë bota.
Por empatia e francezëve për revistën satirike e zgjuar pas atentatit nuk zgjati shumë. Numri i abonentëve nga 40.000 u rrit në 260.000 kopje pak javë pas atentatit. Në vitet më pas ky numër ra në 35.000 kopje. Demonstrata masive e 11 janarit 2015 nuk ishte vetëm shprehja e dëshirës për lirinë e shtypit, por edhe për unitet të ri në shoqëri. “Marshe republikane”, kështu i quajtën francezët kolonat e protestave.
“Unë nuk jam Charlie”
Por imazhi i unitetit të ri francez shpejt pësoi të çarat e para. Për Charlie Hebdo kishte shumë rezerva sidomos në zonat periferike problematike të Francës, të njohura si Banlieues. Në aktivitete përkujtimore në zonat Banlieue ka pasur njerëz që kanë dashur të prishin përkujtimin, rastet i janë njoftuar Ministrisë së Arsimit. Më shumë se 200 nxënës nuk kanë dashur të kujtojnë viktimat. Shumë prej tyre kanë shprehur mirëkuptim për vrasjen e satirikut, që e bëri profetin Mohamed objekt të satirës.
Që politika franceze ende edhe sot nuk ka gjetur një recetë kundër përçarjes në rritje në shoqëri e tregon edhe debati aktual për një “ligj kundër separatizmit” që ka bërë të ditur kryeministri i ri, Jean Castex. Bazat e këtij ligji pritet që presidenti, Emmanuel Macron t’i paraqesë këtë javë në një fjalim në Pantheon me rastin e 150-vjetorit të fundit të monarkisë. Por ndryshimi më i madh në vend është prezenca e shtuar e forcave të sigurisë.
Në gjendje të jashtëzakonshme
Pas një serie të koordinuar atentatesh në një sallë koncertesh në Paris, Bataclan si edhe në restorante dhe bare, në nëntor 2015 presidenti i atëhershëm, François Hollande shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo u mundësoi hetuesve të kryenin më shumë se 4.500 kontrolle në shtëpi pa vendim të gjykatësit, duke bërë të dështonin më shumë 30 atentate të tjera. Gati dy vjet qëndroi në fuqi ligji për gjendjen e jashtëzakonshme, derisa Macron e shfuqizoi në vitin 2017. Një ligj i ri antiterror tani ua lehtëson autoriteteve të sigurisë përgjimin dhe u jep kompetenca të gjera. Pak ditë pas sulmit ndaj Charlie Hebdo, qeveria franceze ngarkoi forcat e sigurisë që të siguronin pika qendore në vend. Me operationin Sentinelle ushtria vë në dispozicion mijëra ushtarë që sigurojnë ndërtesat publike, por edhe shkollat, teatrot dhe mediat, aeroportet e stacionet e trenit.
Barrierat e betonit ofrojnë mbrojtje tani kundër sulmeve terroriste, Kulla Eifel, aq e preferuar mes turistëve është siguruar me një xham antiplumb. Rreziku i vazhdueshëm terrorist është pjesë e së përditshmes si debati i ekspertëve mbi dimensionin fetar të sulmeve. A mund të shpjegohen atentatet me interpretimin salafist radikal të islamit, apo këta të rinj në periferi të shoqërisë duan të shprehin me këtë ndarjen radikale me Francën? Disa përgjigje për këtë pyetje ndoshta do t’i japë procesi kundër 13 të dyshuarve që fshihen pas atentatit kundër “Charlie Hebdo”. Megjithëse ky gjyq nuk është tema dominuese në Francë, procedura gjyqësore do të filmohet e gjitha për të pasur një dokument historik mbi këtë proces./DW
Fraksion.com