Trump dhe Biden fajësojnë njëri-tjetrin për protestat e dhunshme
Nëntë javë para zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish nënpresidenti Joe Biden, të hënën fajësuan njëri-tjetrin për dhunën e lidhur me protestat e fundit kundër padrejtësive racore dhe trajtimit nga policia të pakicave.
Presidenti Trump shkroi në Twitter të hënën se ai planifikon të vizitojë të martën qytetin e Kenoshas, ku protestat javën e kaluar pati protesta të dhunshme pasi policia qëlloi me armë një afrikano-amerikan gjatë përpjekjes për arrestimin e tij. Një adoleshent i bardhë që pretendoi se po mbronte bizneset në Kenosha u akuzua për vrasjen e dy protestuesve dhe plagosjen e një tjetri gjatë protestave.
Duke iu referuar zotit Biden, Presdienti Trump tha se dhuna në Uiskonsin dhe trazirat në Portland të Oregonit, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara, e detyruan “Joe-in e ngadalshëm” të dilte nga bodrumi i shtëpisë së tij në Delauer, nga i cili ai po bën fushatën për zgjedhjet e 3 nëntorit për të shmangur turmat gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në një fjalim të hënën në Pitsburg, zoti Biden fajësoi Presidentin Trump për dhunën që ka shpërthyer në të gjithë vendin ndërsa Shtetet e Bashkuara po merren me protesta dhe kundër-protesta të përhapura dhe ndonjëherë të dhunshme mbi trajtimin policor të pakicave dhe pabarazitë në shoqërinë amerikane.
“Ky president ka kohë që e ka humbur të drejtën morale të udhëheqjes në këtë vend”, tha Biden. “Ai nuk mund ta ndalë dhunën, sepse për vite me radhë, ai e ka nxitur atë.”
“A beson dikush se do të ketë më pak dhunë në Amerikë nëse Donald Trump rizgjidhet?”, tha zoti Biden.
Guvernatori i Uiskonsinit, Tony Evers i bëri thirrje Presidentit Trump që të mos vizitojë qytetin qendror të Amerikës përgjatë brigjeve të Liqenit të Miçiganit.
“Unë jam i shqetësuar se prania juaj vetëm se do të pengonte shërimin e plagëve në (qytetin) tonë. Unë jam i shqetësuar se prania juaj do të zvarriste punën tonë për të kapërcyer përçarjet dhe për të ecur përpara së bashku”, tha zoti Evers.
Guvernatori Evers së pari urdhëroi trupat e Gardës Kombëtare në Kenosha që të shuanin dhunën në rrugë pasi një oficer i bardhë policie e qëlloi shtatë herë në shpinë afrikano-amerikanin Jacob Blake, duke e lënë atë pjesërisht të paralizuar. Zoti Evers pranoi më vonë ndihmë federale shtesë për ruajtjen e rendit.
Por, Presidenti Trump në Twitter tha se kjo ndodhi falë angazhimit të tij.
“Nëse nuk do të kisha këmbëngulur që Garda Kombëtare të aktivizohej dhe të shkoja në Kenosha të Uiskonskinit, qyteti nuk do të ekzistonte tani. Gjithashtu, do të kishte patur një numër më të madh të vdekjeve dhe plagosjeve. Dua të falënderoj forcat e zbatimit të ligjit dhe Gardën Kombëtare. Do të shihemi të martën!”, thuhet në postimin e Presidentit Trump në Twitter.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Trump nuk kishte në plan të vizitonte familjen e afrikano-amerikanit Jacob Blake gjatë vizitës së tij në Kenosha.
Zoti Trump gjithashtu komentoi përsëri në lidhje me dhunën në Portland, ku një autokolonë e mbështetësve të tij me 600 makina u përleshën të shtunën me protestuesit e lëvizjes “Black Lives Matter”, që po protestonin kundër mënyrës se si policia po i trajton pakicat.
Gjatë mbrëmjes, një burrë i bardhë u gjet i vdekur në një rrugë nga një plagë me armë zjarri në gjoks. Dëshmitarët thanë se personi kishte në kokë një kapele me mbishkrimin “Patriot Prayer” (lutja e patriotit), një grup i ekstremit të djathtë me qendër në shtetin e Uashingtonit që më parë është përleshur me protestuesit. Presidenti Trump sulmoi kryebashkiakun e Portlandit, Ted Wheeler, një kritik demokrat i presidentit, për tre muajt e dhunës sporadike në qytet.