AktualitetBota+Op-EdTë fundit

Rreziku global nga presidencialet amerikane

Nga Sigmar Gabriel

Në dallim nga libri i Zhyl Vernit “Rreth botës për 80 ditë”, udhëtimi modern gjatë 80 ditëve të ardhshme, do të jetë më shumë një slogan sesa një aventurë e mirrfilltë. Por ai do të kulmojë me një ngjarje që do të ketë pasojë globale dhe historike.

Në më pak se 3 muaj, Shtetet e Bashkuara do të mbajnë zgjedhjet e 59-ta presidenciale.

Për shkak se Amerika është ende më e fuqishme ekonomikisht dhe ushtarakisht sesa dy rivalet e saj kryesore (Rusia dhe Kina) të marra së bashku, zgjedhjet e saj janë gjithnjë të rëndësishme në rrafshin global.

Por asnjëherë më parë këto zgjedhje nuk kanë paraqitur një kërcënim kaq të mprehtë për pjesën tjetër të botës. S’ka dyshim se rizgjedhja e presidentit Donald Trump do të rrezikonte si SHBA-në ashtu edhe botën. Për më tepër, ka shumë arsye për t’u frikësuar se një proces me një rezultat shumë të ngushtë mund ta zhysë SHBA-në në një krizë të thellë e të zgjatur kushtetuese, dhe ndoshta edhe në dhunë civile.

Ngjashëm, nëse Trump siguron fitoren vetëm tek Kolegji Zgjedhor, dhe e humbet votën popullore – siç ndodhi në vitin 2016 – as kundërshtari i tij, Xho Bajden, dhe as pjesa më e madhe e vendit që e kundërshton atë, nuk ka gjasa ta pranojë aq lehtë rezultatin sa Hilari Klinton më 2016-ën, apo Al Gor në vitin 2000.

Dhe nëse Gjykata e Lrtë, ndërhyn sërish për të zgjedhur fituesin, sikurse veproi kur zgjodhi Xhorxh Ë.Bush dhe jo Al Gor, protestat masive në mbarë vendin, do të jenë një skenar thuajse i sigurt. Në kundërpërgjigje, me siguri që Trump do të nxirrte në rrugë trupat federale për vendosjen e rendit, siç ka bërë tashmë në Portlend dhe qytete të tjera.

Ndërkohë, për shkak se Bajden është vazhdimisht para Trumpit në sondazhe, Trump mund të përpiqet ta përdorë pandeminë e Covid-19 si një pretekst për shtyrjen ose manipulimin e zgjedhjeve. Dhe ai e ka kaluar tashmë verën me përpjekjet për të mohuar vlefshmërinë e votimit me postë, në mënyrë që të de-legjitimojë paraprakisht votimin e 3 nëntorit.

Edhe pse këto veprime kanë hasur një rezistencë të fortë, Trump po hedh bazat për të mobilizuar përkrahësit e tij dhe për të mbetur në Shtëpinë e Bardhë pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve. Trazirat dhe plaçkitjet e para së fundmi në Portlend dhe Çikago, do ta ndihmojnë në mënyrë të pashmangshme Trumpin në aspektin politik, teksa ai ndjek këtë strategji.

Ai ka qenë tashmë i gatshëm të zbarkojë në Portlend forcat e Departamentit të Sigurisë së Brendshme, për të frikësuar grupet relativisht të vogla të protestuesve (kryesisht paqësorë). Rezultati i parashikueshëm (dhe ndoshta i synuar), është një zgjerim i protestave, dhe një përshkallëzim i dhunës.

Mesazhi i Trumpit për periferitë e banuara nga shtresa e mesme e të bardhëve është i qartë: vendi ka një president që ruan ligjin dhe rendin. Përdorimi i burimeve federale për të frikësuar popullsinë, buron ndërkohë nga narrativa e Trumpit se zgjedhjet nuk mund të zhvillohen në mënyrë të ndershme dhe të qetë, pa manipulimin e votave nga kundërshtarët e tij.

Imazhet e milicisë së krahut të djathtë të armatosur rëndë që shfaqet në protestat paqësore, janë një lloj prologu i asaj që e pret SHBA-në këtë vjeshtë. Ky version i SHBA-së, ku ndarjet e brendshme janë thelluar gjithnjë e më shumë edhe në politikën e saj të jashtme, është ndoshta kërcënimi më i madh i sigurisë me të cilin përballet sot pjesa tjetër e botës.

Në kohën e rritjes së rreziqeve globale – nga pandemitë dhe ndryshimi i klimës, deri tek përhapja e armëve bërthamore, dhe sjellja agresive e Kinës dhe Rusisë – një krizë e rëndë politike në SHBA do të ishte shumatorja përfundimtare e kërcënimit.

Amerika është thjesht shumë e rëndësishme ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, për t’u tërhequr qoftë edhe përkohësisht apo akoma më keq, për t’u bërë një nxitës i paparashikueshëm i konflikteve globale, për shkak të nevojës së qeverisë amerikane për t’u fokusuar vetëm tek çështjet e saj të brendshme.

Mund të shpresohet vetëm që zgjedhjet e nëntorit të prodhojnë një fitues vendimtar si në Kolegjin Zgjedhor, ashtu edhe në votimin popullor. Megjithatë, edhe atëherë, nxjerrja e rezultatit përfundimtar mund të marrë kohë, për shkak të shtimit të madh të votimit përmes postës.

Çdo fletë votimi e hedhur më 2 ose 3 nëntor (në varësi të shtetit), do të konsiderohet e vlefshme, çka do të thotë që rezultati përfundimtar nuk do të dihet deri pas ditës së zgjedhjeve. Pavarësisht pasigurive të shumta që rrethojnë këto zgjedhje, njëra ose të dyja shtabet elektorale mund të përpiqen të pretendojnë fitoren, bazuar në numërimin aktual të votave.

Në çdo rast, nuk ka shanse që Trump të presë i qetë në Zyrën Ovale për ditë ose javë të tëra për të marrë vesh rezultatin përfundimtar. Në intervistat e fundit, ai ka bërë deklarata të mjegullta, duke sugjeruar se nuk do të largohet nga Shtëpia e Bardhë edhe nëse humbet.

Dhe në fakt, duket se ai po përgatitet aktivisht për një skenar të tillë.

Nëse ndjek këtë rrugë, superfuqia udhëheqëse në botë do ta gjejë veten në një krizë të gjatë kushtetuese. Aleanca e vjetër perëndimore e vendeve demokratike dhe të industrializuara, ka bërë shumë gabime vitet e fundit, dhe ato e kanë minuar reputacionin e saj ndërkombëtar.

Por asnjë institucion nuk është më themelor, për joshjen që ka Perëndimi në pjesën tjetër të botës, sesa zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Nëse udhëheqësja e Perëndimit, nuk mund ta mbështesë edhe këtë parim, pjesa tjetër e botës mund të zgjedhë sisteme të tjera politike. /Project Syndicate, bota.a

 

Fraksion.com