AktualitetBota+Të fundit

Policia e Nju Jorkut, udhëzime të reja për disiplinimin punonjësve

Kur Departamenti i Policisë së Nju Jorkut pushoi nga puna një punonjës të rendit vitin e kaluar për përdorimin e taktikës së shtrëngimit në qafë ndaj Eric Garner-it, sindikata e punonjësve të policisë argumentoi se kishte një precedent të vogël ose asnjë, brenda sistemit disiplinor të departamentit për një dënim të tillë.

Tani, departamenti më i madh i policisë po përshkruan pasojat e mundshme për sjellje të pahijshnme të një polici, ndërsa shpalosi të hënën një projektpropozim për disiplinimin. Projektpropozimi do të shërbejë si udhëzues për marrjen e vendimeve për të disiplinuar punonjësit, i ngjashëm me udhëzimet për dënimet në çështjet penale. Propozimi do të miratohet pas një periudhe 30 ditore të shqyrtimit nga publiku.

“Donim ta bënim shumë të qartë se nëse bëhen disa gjëra (sjellje të pahijshme) do të ketë pasoja të caktuara”, tha ndihmës shefi Matthew Pontillo, i cili ndihmoi në zhvillimin e politikave disiplinore me ndihmën e zyrtarëve të departamentit dhe agjencive të tjera.

Kryebashkiaku Bill de Blasio e quajti atë një “hap të madh përpara të trasnparencës dhe llogaridhënies.” Fred Davie, i cili drejton agjencinë që mbikëqyrë policinë e Nju Jorkut, tha se ai “ishte i inkurajuar nga disa prej standardeve të qarta të përcaktuara në këtë rregullore të re.”

Mbështetësit e reformës në polici nuk ishin aq entuziastë, duke argumentuar se Policia e Nju Jorkut ende ka shumë pushtet në ushtrimin e detyrës ndaj punonjësve të saj dhe se rrallë zbaton ndëshkimet e ashpra, me vetëm 12 punonjës të policisë të pushuar nga puna që nga mesi i viteve 1980.

Sindikata e policisë nuk pajtohet me propozimin

Kreu i sindikatës më të madhe të policisë së Nju Jorkut i kundërshtoi udhëzimet për arsye të tjera, duke i cilësuar si një mënyrë për zyrtarët e zgjedhur “për të manipuluar disiplinimin e Policisë së Nju Jorkut për të çuar më tej qëllimet e tyre radikale politike.”

“Me sa duket, minimumet e detyrueshme dhe udhëzimet për dënimin janë të padrejta për kriminelët por mjaft të mira për policët”, tha Pat Lunch i sindikatës së policisë, duke sugjeruar se udhëzimet do të ndryshonin bazuar në titujt e lajmeve dhe anketat, në vend të ndonjë logjike objektive të drejtësisë apo paanësisë.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut po kalon tek udhëzimet zyrtare disiplinore në një kohë kur agjencitë e zbatimit të rendit në mbarë botën gjenden nën presion për të qënë më transparente në lidhje me disiplinimin, pas protestave lidhur me vdekjen në duart e policisë të afrikano-amerikanit George Floyd në Mineapolis në muajin maj.

Komisioneri Dermot Shea, cili do të ketë fjalën e fundit për disiplinimin, tha se “është e rëndësishme që ne të kemi një udhëzim që publiku dhe punonjësit e policisë të dinë se çfarë mund të presin”. Zhvillimi i masave të reja ishte në proces e sipër, kur këshilli i qytetit miratoi një ligj në muajin qershor për përdorimin e tij. Ligji po ashtu kërkon që publiku të informohet në të gjitha rastet që zoti Shea e devijon atë.

Në të njëjtën kohë, ligjvënësit e atij shteti u përpoqën të hidhin më shumë dritë duke shfuqizuar një ligj të vjetër që kishte mbajtur të fshehta dosjet disiplinore të policisë. Sindikatat e policisë po padisin për të bllokuar hapjen e tyre pasi një gjykatës vëndosi javën e shkuar që dosjet duheshin bërë publike.

Raporti prej 48 faqesh rëndit ndëshkimet e supozuara për dhjetëra forma të sjelljes së pahijshme, përfshi përjashtimin nga puna për përdorim të forcës vdekjeprurëse të pajustifikueshme, përfshirjes në gjuhë urretjeje dhe deklarimet e rreme.

Mes masave të tjera është edhe nëse një punonjës policie harron të ndezë kameran trupore ndërsa shkon në vendngjarjen e një incidenti, ai ose ajo mund të pezullohet ose t’u hiqen tre ditë pune. Nëse është bërë me qëllim, dënimi është 20 ditor.

Qasja në informacionet konfidenciale mund të dënohet me 10 ditë pushim nga puna ose humbje të ditëve të pushimit. Nxjerrja e informatave sekrete për organet e shtypit mund të dënohet me një pezullim 20 ditor ose humbje të ditëve të pushimit./VOA

 

Fraksion.com