AktualitetEkonomiTë fundit

Legalizohen 381 pallate të braktisura

Në të gjithë vendin janë 381 pallate të formalizuar me 1 milion e 663 mijë metra katrorë ndërtim, të ndara në rreth 1 milion e 200 mijë metra katrorë banim dhe rreth 45-460 mijë metra katrorë shërbime.

Kështu deklaroi sot drejtori i përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, në një aktivitet për shpërndarjen e lejeve të një pallati në Sauk.

Duke folur për situatën me pallatet e braktisura, Lame theksoi se legalizimi i pallateve të braktisura ka filluar ligjërisht që në vitin 2005-2006 praktikisht deri në vitin 2017 mund të konsiderohet si i paralizuar. “Në vitin 2017 qeveria vendosi t’ia kalojë legalizimin e pallateve të braktisur ALUIZNI-it të atëhershëm sot Kadastra”, tha Lame.

Lame u shpreh se “pas dy vjetësh që doli vendimi për legalizimin e pallateve të braktisura ne sot kemi këto shifra. Në rang republike janë 381 pallate të formalizuar me 1 milion e 663 mijë metër katrorë ndërtim të ndara në rreth 1 milion e 200 mijë metër katrorë banim dhe rreth 45-460 mijë metër katrorë shërbime. Janë rreth 14 mijë familje që kanë marrë dokumentin e pronësisë përmes këtij procesi, pra janë 381 ndërtues, që mbanin të bllokuar 14 mijë familje, dhe rreth 1200 aktivitete ekonomike si dyqane njësi shërbime, bare, klube etj”.

“Me këto shifra mund të themi se është histori suksesi legalizimi i pallateve të braktisura. Nga 381 pallate është bërë e mundur të legalizohen jo duke bërë presion tek ndërtuesi, por nga vetë banorët, që do të thotë, që është gjëja më e vështirë në Shqipëri për të bërë bashkë banorët”, – tha Lame.

Sipas tij, rasti konkret është nga këto ku janë bërë bashkë banorët për të bërë legalizimin, sepse e tillë ishte situata.

Duke kërkuar bashkëpunimin e banorëve Lame, tha se “banorët të bëhen bashkë aty ku kanë mundësi dhe të ndjekin procedurat për legalizimet”.

 

Fraksion.com