Life StyleTë fundit

Kafe të zakonshme apo dekafeinato? Si ta kuptoni cila është më e mira për ju

Toleranca ndaj kafeinës ndryshon nga inividi në individ. Për disa njerëz, një filxhan kafe mund të jetë e tepruar, ndërsa të tjerë mund të ndihen shumë më mirë. Edhe pse kjo tolerancë mund të ndryshojë, të rriturit duhet të shmangin konsumimin e mbi 400 mg kafeinë në ditë. Kjo është afërsisht e barasvlefshme me katër filxhanë kafe.

Konsumi i tepruar mund të çojë në rritjen e presionit të gjakut dhe mungesën e gjumit, gjë që mund të rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru. Kafeina e tepërt gjithashtu mund të mbingarkojë sistemin nervor qendror, të shkaktojë shqetësim, ankth, probleme të tretjes, aritmi të zemrës ose probleme me gjumin në individë të ndjeshëm.

Njerëzit të cilët janë shumë të ndjeshëm ndaj kafeinës duhet të kufizojnë marrjen e kafesë së rregullt ose të konsumojnë kafe dekafeinato ose çaj.

Njerëzit me kushte të caktuara mjekësore gjithashtu mund të kërkojnë dieta të kufizuara në kafeinë. Kjo përfshin njerëzit që janë duke marrë ilaçe me recetë të cilat mund të bashkëveprojnë me kafeinën. Për më tepër, gratë shtatzëna dhe ato me gji këshillohen të kufizojnë marrjen e kafeinës. Fëmijët, adoleshentët dhe individët e diagnostikuar me ankth ose që kanë probleme me gjumin këshillohen ta bëjnë të njëjtën gjë.

Kafeja dekafeinato është zgjidhja perfekte, kur ju duhet të kufizoni konsumin e kafesë, por nuk bëni dot pa të. Kjo lloj kafeje ka thuajse të njëjtat përfitime shëndetësore si kafeja e zakonshme, por asnjë nga efektet anësore që ajo mund të japë, edhe pse kjo e fundit ka disa avantazhe më shumë.

Kafeja dekafeinato nuk është plotësisht pa kafeinë. Ajo merret nga kokrrat e kafesë që u është hequr të paktën 97% e kafeinës dhe përmban sasi të ndryshme kafeine, zakonisht rreth 3 mg për filxhan.

Nga ana tjetër, një filxhan mesatar me kafe të zakonshme përmban rreth 70–140 mg kafeinë, (varësisht nga lloji i kafesë, mënyra e përgatitjes dhe madhësia e filxhanit).

 

Fraksion.com