AktualitetBota+Të fundit

Gjermania Këshill Ekspertësh për armiqësinë kundër myslimanëve

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Horst Seehofer ka caktuar një këshill ekspertësh të zhvillojë strategji për të luftuar armiqësinë ndaj myslimanëve.   

Këshilli ka detyrë që – siç thuhet – të zhvillojë qasje të orientuara drejt praktikës për të identifikuar, luftuar dhe parandaluar armiqësinë ndaj myslimanëve. Seehoferi tha se synohet të tregohet se autoritetet i marrin seriozisht shqetësimet dhe frikën në rritje të njerëzve që preken nga urrejtja, armiqësia dhe sulmet islamofobe.

“Qëndrimet kundër myslimanëve nuk janë vetëm një kërcënim për myslimanët, por edhe për kohezionin shoqëror në tërësi,” tha Seehoferi të martën në Berlin. “Grupi i Pavarur i Ekspertëve për Armiqësinë ndaj Myslimanëve” duhet të japë një kontribut për shtetin dhe shoqërinë “që të jenë në gjendje të ndërmarrin veprime më të përshtatshme kundër kësaj armiqësie”.

Ministria e Brendshme e sheh këtë veprim “gjithashtu si një reagim ndaj incidenteve raciste dhe kundër myslimanëve, si dhe sulmeve terroriste ose planeve të sulmeve në muajt e fundit”, siç thuhet në një deklaratë. Qeveria gjermane thekson se “i merr seriozisht shqetësimet dhe frikën në rritje të njerëzve që preken nga urrejtja, armiqësia dhe sulmet kundër muslimanëve”.

Të dymbëdhjetë anëtarët e komisionit u emëruan zyrtarisht të martën. Këshilli i Ekspertëve do të fillojë punën në vjeshtë./dw

 

Fraksion.com