AktualitetPolitikëTë fundit

“Marrëveshje e re me Greqinë për detin”; Balla: Kazani zien çorbën e prishur nga PD-LSI

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot në një prononcim për mediet nga Kryesia e Kuvendit, se nuk ka një marrëveshje të re me Greqinë për detin.

“Duhet ta sqarojmë për çdo qytetar shqiptar që mund të jetë ngatërruar në çorbën e gatuar prej PD-së dhe LSI-së, sepse marrëveshjet bëhen mes shteteve, negociohen mes qeverive për muaj e vite, dhe më pas firmosen nga qeveritë dhe ratifikohen në parlamentet përkatëse”, tha Balla.

Në këtë rast, Balla theksoi se “mes Shqipërisë dhe Greqisë ka pasur një marrëveshje të negociuar nuk e di për sa kohë, por të firmosur dy muaj para zgjedhjeve të 2009, diku në fund të prillit 2009, dhe më pas të tentuar për t’u ratifikuar nga parlamenti i shumicës qeverisëse mes Sali Berishës dhe Ilir Metës në tetor, nëntor, dhjetor 2009”.

Balla kujtoi se “kjo marrëveshje u bllokua nga kërkesa e depozituar nga PS në Gjykatën Kushtetuese dhe që Gjykata Kushtetuese, me një rezultat të qartë e ka rrëzuar si marrëveshje”.

Balla tha se “kishim një marrëveshje antikombëtare dhe antikushtetuese, përmes së cilës rreth 354.4 km2, në mënyrë antikombëtare dhe antikushtetuese i hiqeshin Shqipërisë”.

“Gjithë ky kazan që zien çorbën e prishur nga PD-LSI nuk e di cilat janë arsyet që i shtyjnë, por dua të theksoj që nga ana e qeverisë të drejtuar nga Edi Rama në mënyrë të vazhdueshme respektohet interesi ynë kombëtar pikësëpari, dhe të gjitha konventat ndërkombëtare”, tha Balla.

Për fat të mirë, ai theksoi se Shqipëria me Greqinë e ka përcaktuar kufirin e saj që në vitin 1990 dhe e vetmja tentativë për t’i bërë dëm Shqipërisë mban emrat e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Lulzim Bashës.

“Ndërkohë që diskutimet e karakterit politik që mund të zhvillohen në Kuvendin e Greqisë nga një ministër apo një kryeministër i vendit përkatës nuk ka të bëjë aspak me realitetin që ndodh në vend. Për çdo lloj vendimmarrje të tillë negociohet, diskutohet dhe gjithçka bëhet publike. E vetmja marrëveshje që nuk u bë kurrë publike derisa u vendos, ishte ajo që mban firmën e Lulit kur ishte Ministër i Jashtëm, që më pas e mori përsipër ta mbronte Ilir Meta”, tha Balla.

Lidhur me ndryshimet në grupin negociator, ai theksoi se “nëse do t’i merrni emrat e grupit negociator disa kanë ikur nga pozicionet që kanë pasur”.

 

Fraksion.com