Maqedoni e Veriut, parlamenti miraton qeverinë e re
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut votoi të dielën para mesnate kabinetin qeveritar të udhëhequr nga social-demokrati Zoran Zaev.
62 deputetë të shumicës parlamentare votuan pro, 51 të opozitës ishin kundër. Një nga ligjvënsit e shumicës votoi nga një kabinë mbi sallën ku mbahej seanca për shkak të rekomandimeve nga autoritetet shëndetësore lidhur me koronavirusin.
Nuk pati ligjvënës që abstenuan, ndërkohë që opozita u largua nga salla menjëherë pas aktit të votimit.
Kryeministrii Zaev tha se qeveria e tij do të punojë për një standard më të mirë ekononik për qytetarët. “Do të punojmë për një sistem gjyqësor, të cilit do t’i besojnë qytyetarët; që do të ndajë drejtësi të barabartë për të gjithë, në mënyrë të efektshme, transparente dhe të përgjegjshme ”, shtoi ai. Kryeministri maqedonas foli edhe për investime në sistemin shëndetësor dhe në fusha të tjera që do ta përmirësonin gjendjen ekonomike, papunësinë, arsimin e nxënësve dhe studentëve.
“Tash nuk kemi më çështje të hapura etnike në vend, por të gjithë jemi të barabartë”, tha zoti Zaev duke nënvizuar edhe raportet e mira me vendet fqinje.
Ndërkaq, deputetë të opozitës, si maqedonase edhe shqiptare, thanë se koalicioni i shumicës parlamentare shquhet për mashtrime dhe për manipulimin e votuesve. Ligjvënësit e VMRO-DPMNE-së e akuzuan zotin Zaev dhe partinë e tij LSDM për tradhëti ndaj interesave kombëtare dhe shtetërore maqedonase për shkak të ndryshimit të emrit të vendit.
LSDM-ja ka 11 poste në qeverinë e re: Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes, për Çështje Evropiane, të Shëndetësisë, të Arsimit, Kulturës, Politikës Sociale, Transportit dhe Lidhjeve dhe atë të Luftës kundër korrupsionit.
Ndërkaq, BDI-ja do të drejtojë Punët e Jashtme, Financat, Ekonominë, Ambientin Jetësor, Sistemin Politik dhe Administratën Publike. Ministria e Bujqësisë i është lënë Lëvizjes Besa, e cila në zgjedhje doli në koalicion me LSDM-në.
Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut do të përballet me sfidën e koronavirusit dhe me ekonominë e rënduar si rezultat i pandemisë, ndërkohë që e presin shumë punë në proceset e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Fraksion.com