AktualitetBota+Të fundit

Guvernatorja e Oregonit: T’i jepet fund ciklit të dhunës në Portland

Në qytetin veriperëndimor të Portlandit, në shtetin e Oregonit, vazhdojnë protestat. Guvernatorja e shtetit Kate Brown, tha se do të forcojë praninë policore dhe se se do të adresojë çështjet themelore që kanë nxitur muaj të tërë protestash kundër padrejtësisë racore. Një grup protestuesish u mblodhën të dielën para një ndërtesë ku qëndrojnë forcat e zbatimit të ligjit. Grumbullimi i tyre u konsiderua i paligjshëm dhe policia e Portlandit kreu arrestime si shumë netë të tjera. Guvernatorja Brown tha në një deklaratë të dielën vonë në mbrëmje se të gjithë, përfshirë zyrtarë të zgjedhur, forcat e rendit dhe drejtuesit e komunitetit, duhet të bashkohen për të ndaluar ciklin e dhunës në qytet dhe se “ndryshimi i vërtetë do të vijë nga puna e madhe për të garantuar drejtësi racore”.

Zonja Brown njoftoi se në Portland do të dërgohen forca shtesë policore për t’i ardhur në ndihmë policisë së qytetit. Ata që kryejnë vepra të dhunshme, do të arrestohen, tha guvernatorja, duke shtuar se do të zhvillojë një forum publik me kryetarin e bashkisë së Portlandit Ted Wheeler, organizatorët e protestave dhe drejtuesit e komunitetit. Ajo kritikoi gjithashtu veprimet e “vigjilentëve të armatosur të krahut të djathtë”, një ditë pasi një person u qëllua për vdekje ç’ka solli përleshje mes protestuesve dhe kundër protestuesve.

“Grupi i krahut të djathtë “Lutjet e Patriotit” dhe anëtarët e vetëshpallur të milicisë u futën në qytetin e Portlandit mbrëmjen e kaluar (të shtunën), të armatosur, duke kërkuar luftë”, tha zonja Brown në një deklaratë. “Çdo banor i Oregonit ka të drejtë të shprehë lirshëm pikëpamjet e tij pa frikë nga dhuna vdekjeprurëse. Nuk do t’i lejoj “Lutjet e Patriotit” dhe supremacistëve të armatosur të bardhë të sjellin më shumë gjakderdhje në rrugët tona”.

Një deklaratë policia njoftoi se një person ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri të shtunën në mbrëmmje dhe e identifikoi atë si një burrë i bardhë, i cili vdiq nga një plagë me armë në gjoks. Dëshmitarët thanë se personi i vrarë mbante në kokë një kapele me shenjën “Lutjet e patriotit”, një grup i ekstremit të djathtë me qendër në e shtetin Uashingtonit, anëtarët e të cilit edhe më parë janë përleshur me protestuesit. Gazeta “Oregonian”, duke cituar burime të njohura me rastin, tha se policia po heton një 48-vjeçar, i vetëidentifikuar si antifashist dhe që në postime në median sociale ka treguar se ka marrë pjesë në protestat e zhvilluara në Portland gjatë disa muajve të fundit. Në një konferencë shtypi të dielën pasdite, zoti Wheeler u bëri thirrje protestuesve të mos rikthehen tek aktet e dhunës apo të hakmerren pas vdekjes së të shtunës në mbëmje. Në një reagim në twitter Presidenti Trump kritikoi zotin Wheeler dhe e fajësoi atë për “vdekjen dhe shkatërrimin” në qytet. Zoti Wheeler reagoi duke e cilësuar postimin e presidentit një koment klasik të tij.

“Jeni përpjekur të na ndani më shumë se çdo figurë tjetër në historinë moderne dhe tani doni që unë të ndaloj dhunën që ju ndihmuat për ta krijuar“, iu përgjigj zoti Wheeler Presidentit Trump. “Ajo që Amerika ka nevojë, është që ju të ndaleni, që ne të mund të bashkohemi si një Amerikë e vetme“.

Javën e kaluar, ndërsa pranoi emërimin nga republikanët për të kandiduar për një mandat të dytë, PresidentiTrump përdori Portlandin si shembull të asaj që mund të pritet të ndodhë në mbarë Amerikën në të ardhmen, nëse kundërshtari i tij, ish-Nënpresidenti Joe Biden, fiton zgjedhjet e 3 nëntorit. Votuesit “nuk do të jenë të sigurt në Amerikën e Joe Biden-it”, tha presidenti. Zoti Biden pritet t’i përgjigjet me një fjalim të hënën në Pensilvani, që siç thanë zyrtare të fushatës se tij, do të përqëndrohet tek tema: “A ndiheni të sigurt në Amerikën e Donald Trump-it?”

Zoti Biden tha gjate nje interviste javën e kaluar se zoti Trump e shikon dhunën në rrugë “si një përfitim politik për të. Ai po brohoret për më shumë dhunë, jo më pak”, tha zoti Biden./voa

 

Fraksion.com