Cakaj, bisedë telefonike me homologun e Maqedonisë së Veriut: Thellim i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe
Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i ka uruar suksese në detyrën e tij, kryediplomatit të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, pas konstituimit të qeverisë së re.
Ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj, ka njoftuar se ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
“Z. Osmanit i kam uruar suksese të pamatshme në mandatin e tij historik si kryediplomati i parë shqiptar i Maqedonisë së Veriut. Për më shumë, pasi ka shërbyer si zv.kryeministër dhe kryenegociator, ai merr përsipër edhe një përgjegjësi tjetër historike – udhëheqjen politike dhe diplomatike të negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian”, – thekson Cakaj.
Ministri i Jashtëm në detyrë Cakaj shpreson se me vendosjen e Osmanit do ketë një shtysë më të madhe për të vijuar më tej punën për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
“Me Bujarin në krye të diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, ne do të vazhdojmë punën për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe, forcim të bashkëpunimit rajonal e rritjen të dinamikës politike për anëtarësim në BE”, – nënvizon Cakaj.
Fraksion.com