AktualitetBota+Të fundit

Shumë arrestime në protestat në Minsk

Gjatë demonstratës të së dielës (30.08) të organizuar nga opozita bjelloruse në Minsk ka pasur shumë arrestime. Forcat e sigurisë vepruan rregullisht kundër demonstruesve paqësorë.

Gjendja në Minsk është e tensionuar. Në demonstratën e së dielës forcat e sigurisë i vërsuleshin rregullisht demonstruesve paqësorë, sipas njoftimeve të një korrespondenti të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Në vídeo dhe foto të publikuara shihet se si uniformat e shtetit bjellorus arrestojnë kryesisht burra, rrallë mes të ndaluarve nga policia gjenden gra. Në video dëgjoheshin britmat e demonstruesve.
Belarus Minsk Protest Demonstration (picture-alliance/AP Photo)

Ministria e Brendshme bjelloruse ka paralajmëruar qytetarët nga pjesëmarrja në një demonstratë të palejuar, dhe ka kërcënuar me dhunë. Sheshi i Pavarësisë në Minsk është i rrethuar me rrjeta metalike dhe ruhet nga forcat e sigurisë. Korrespondenti i Deutsche Welles, Nick Connolly në Minsk, tha se “sundon një heshtje e çuditshme”. “Pas rrugës bosh shihet një det me flamuj të bardhë e të kuq, e herë pas here dëgjohen thirrjet “turp për ju”.” Sipas Connollyt janë renditur edhe automjete ujëhedhëse në afërsi të zonës së rrethuar. Forcat e policisë i mbajnë demonstruesit rreth 500 metër larg gardheve ndarës metalikë. Në rrugë gjendet edhe ushtria sipas korrespondentit të Deutsche Welles.

Lëvizja demokratike opozitare bëri thirrje për protesta të dielën megjithë paralajmërimet. Në ditëlindjen e 66-të, presidenti Aleksander Lukashenko duhet të shohë, që populli është kundër tij, dhe se koha e pushtetit të tij pas 26 vite ka marrë fund, thuhet. Demonstrata e opozitës zhvillohet nën moton “Për paqen dhe pavarësinë.” Protesta u zhvilluan edhe të shtunën, ku mijëra gra marshuan nëpër kryeqytet.

Belarus Minsk Protest (Reuters/Tut.By)

Lukaschenko takon Putinin

Ndërkohë nga Kremlini është bërë e ditur, se për shkak të luftës për pushtet në Bjellorusi, Lukashenkon pritet në javët e ardhshme të takojë presidentin Putin në Moskë. Nuk është përmendur një datë e caktuar për takimin. Të dy politikanët ditët e fundit kanë telefonuar disa herë. Edhe këtë të dielë, Putini ka uruar Lukashenkon për ditëlindjen. Sipas Kremlinit, të dy presidentët kanë theksuar lidhjen e fortë mes Rusisë e Bjellorusisë dhe dëshirën për zgjerimin e aleancës./dw

 

Fraksion.com