AktualitetDialogKosovaTë fundit

Vuçiq: Pres befasi nga takimi në Uashington

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se Serbia ka pranuar agjendën zyrtare për negociatat me Kosovën në Uashington, më 4 shtator, dhe se në të është vetëm një “pikë që është e papranueshme”.

Presidenti i Serbisë nuk specifikoi se për çfarë bëhet fjalë, por vlerësoi se pret befasi dhe negociata të vështira.

“Tema e vetme e bashkësisë ndërkombëtare, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht nga agjendat, është njohja e Kosovës. Thelbi është që (Avdullah) Hoti dhe zyrtarë shqiptarë thonë se po shkojnë në Shtetet e Bashkuara për njohje. Kishte edhe deklarata jozyrtare nga udhëheqësit në rajon që do të nënshkruaj çkado që ofrohet në Uashington. Këtë e dëgjova me kujdes. Unë pres një befasi, nuk hezitoj ta them këtë, dhe do t’i kërkoj falje administratës amerikane nëse kjo nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq për televizionin serb “Pink” të shtunën në mëngjes.

“Nuk ka rëndësi se nën çfarë lloj shantazhi jemi, ne do të vazhdojmë të mbrojmë interesat e shtetit. Deri më tani, ne nuk kemi analizuar atë që Serbia ka sot në Kosovë dhe çfarë është reale që mund të marrim”, tha presidenti serb para bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë në Uashington të premten e ardhshme.

I pyetur nëse ai pret që presidenti i SHBA-së Donald Trump do t’ju bashkohet bisedimeve, Vuçiq tha se nuk e pret këtë nëse “përmbajtja e kërkesës së SHBA-së për Serbinë në lidhje me Kosovën është si supozohet”.

Vuçiq, tha se nëse ai do të pranonte takimin me presidentin Trump, ai do të ishte presidenti i parë serb që mund të ketë jo vetëm takimin e parë me Avdullah Hotin dhe Trump, por edhe një takim bilateral me presidentin amerikan.

“Meqenëse mendoj se e di se cila mund të jetë përmbajtja e asaj befasie, sepse e ndiej atë, dhe jo sepse kam të dhëna, ka më shumë të ngjarë që do ta refuzoj këtë dhe se ky takim nuk do të zhvillohet,” tha Vuçiq.

Ai gjithashtu tha se Serbia “duhet të paguajë çmimin e politikave të pasuksesshme nga vitet 1990”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, me ftesën që u ka bërë këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Ky takim fillimisht ishte planifikuar të mbahej më 2 shtator. Por, ai është shtyrë për dy ditë më vonë.

Po ashtu,më 7 shtator, në Bruksel pritet të takohen delegacionet e të dyja vendeve, të përfaqësuara në nivelin më të lartë politik, nga kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë.

Kryeministri Hoti deklaroi këtë javë se Kosova e zhvillon dialogun për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

 

Fraksion.com