AktualitetBota+Të fundit

Shtëpia e Bardhë: 1.3 trilionë dollarë për koronavirusin. Pelosi: Nuk mjafton

Presidenti Donald Trump është i gatshëm të nënshkruajë një paketë lehtësuese ndaj pasojave të koronavirusit prej 1.3 trilionë dollarësh, njoftoi të premten një ndihmës i lartë i tij, por kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi tha se shuma nuk ishte e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e popullit amerikan. Zoti Trump tha më vonë se zonja Pelosi ishte e interesuar vetëm për shtetet e drejtuara nga demokratët, duke hedhur dyshime mbi mundësitë për të ringjallur bisedimet e ngecura për miratimin e një pakete të re stimuluese për ekonominë e vendit.

Shifra e re u paraqit nga shefi i Personelit në Shtëpinë e Bardhë Mark Meadows, çka shënon një rritje prej 300 miliardë dollarësh nga oferta fillestare e Shtëpisë së Bardhë dhe e Senatit të udhëhequr nga republikanët prej 1 trilion dollarësh. Pas tre javësh, bisedimet në Kongres ndaluan pa një marrëveshje mbi paketën që do të ndihmonte amerikanët të cilët po vuajnë pasojat e pandemisë së koronavirusit.

Zoti Meadows tha se Presidenti republikan ishte “tashmë i gatshëm të nënshkruajë një paketë prej 1.3 trilionë dollarësh”. Por disa orë më vonë, nëpërmjet një deklarate zonja Pelosi përsëriti thirrjen e saj për një shumë prej 2.2 trilionë dollarësh duke shtuar se oferta e zotit Meadow nuk do të plotësonte nevojat e punonjësve dhe familjeve amerikane. Zonja Pelosi tha ndër të tjera se republikanët “po hedhin poshtë fondet e nevojshme për testimin dhe gjurmimin për të ndalur përhapjen e virusin dhe rihapjen e sigurt të shkollave dhe ekonomisë”.

I pyetur në lidhje me bisedimet mes zonjën Pelosi dhe zoti Meadow mbi një tjetër paketë stimuluese, zoti Trump u tha gazetarëve në bordin e avionit presidencial Air Force One gjatë një udhëtimi për në Uashington nga New Hampshire se: “përshtypja ime është që ajo dëshiron të mos e miratojë paketën, por gjithçka që ajo do është të shpëtojë nga problemet financiare shtetet demokrate të qeverisura keq”.Zoti Trump tha se një paketë tjetër stimuluese do të ishte një gjë e mirë.

Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga demokratët miratoi në maj një projektligj për lehtësimin e pasojave të koronavirusit, prej 3.4 trilionë dollarësh, i cili nuk u shqyrtua nga Senati i udhëhequr prej republikanët.

Zonja Pelosi tha të enjten pas një telefonate 25 minutëshe me zotin Meadow se demokratët janë të gatshëm të zbresin deri në 2.2 trilionë dollarë dhe kërkoi që administrata Trump ta pranojë këtë shifër përpara rifillimit të negociatave.

 

Fraksion.com