AktualitetPolitikëTë fundit

Martin Camaj, i fundit trashëgimtar i denjë i brezit të Rilindasve shqiptarë

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike, Autoritetin Gjerman të Hapjes së Dosjeve (BSTU), Katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludëig Maximilian në Mynih, Botimet “Onufri” dhe Teatrin “Migjeni” Shkodër organizuan sot tryezën e rrumbullakët “95 vjet Martin Camaj – vepra dhe përndjekja”, aktivitet që përkujtoi figurën e albanologut të njohur.

Në tryezën që u zhvillua në Pallatin Presidencial, me pjesëmarrjen e studiuesve që janë njohur me dosjen e tij të Sigurimit, dhe atyre që kanë studiuar veprën e Martin Camajt, u ndan këndvështrime të kontributeve të tij në jetën publike dhe akademike mbarëshqiptare.

Kryeministri Edi Rama pjesëmarrës në këtë tryezë u shpreh se, “hapja e dosjeve nuk i ndryshon (sot për sot) parametrat ekonomikë të vendit, por pa asnjë dyshim përbën një ndryshim themelor në raportin me të shkuarën, si një pjesë e patjetërsueshme e raportit me të ardhmen, e raportit të shoqërisë me vetveten, e raportit tonë me gjeneratat e tjera”.

“Kam ardhur këtu me kënaqësi të shumëfishtë, natyrisht si kryeministër, por do të isha këtu edhe po të mos isha kryeministër, sepse Martin Camajn e kam njohur, fatkeqësisht jo sy për sy, por kemi pasur një kontakt të vazhdueshëm së bashku dhe jemi njohur me zë. Dhe kam pasur nderin që ta përcjell në banesën e fundit, në atë ditë kur u nda nga të gjithë ata që e shoqëruan në dëborë. Dhe natyrisht që si kryeministër vij me kënaqësi për t’i shprehur konsideratën time Autoritetit të Dosjes, për punën aspak të lehtë, por të madhe që ka bërë dhe për ta inkurajuar që jo vetëm të vazhdojë punën, por edhe të dalë më shumë nga suaza e vet, për t’i përcjellë më shumë publikut shqiptarë fjalë si ato të që tha me shumë ndjeshmëri dhe njëkohësiht kompetencë mbresëlënëse drejtuesja”, tha Rama.

“Për mua është kënaqësi, por edhe nder të marrë pjesë në një tjetër varrim sot këtu, në varrimin e shpifjeve dhe të akzuave që Martin Camaj mori, jo më nga ata që i privuan atdheun, por nga ata që nuk e lanë as në botën tjetër të qetë”, theksoi Rama.
“Sipas tyre, edhe unë jam bashkëpunëtor, përderisa kam në shtëpi një vëllim të librave të Martin Camajt me dedikimin e tij, ku ka dhe një firmë, që me mendjen e mbrapshtë të ‘studiuesve’, është firma e një subjekti 2A dhe unë jam kontakt i subjektit 2A, z. Simon. Është për të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, pasi është e papërballueshme lehtësia me të cilën një masë gjithnjë e më e madhe njerëzish që janë askush dhe që janë të destinuar të mbeten askush, kërkojnë të bëhen dikush duke guxuar që të prekin deri aty, ku gjenden dikushët, për të cilët De Rada thoshte ‘engjëjt që e bëjnë gostinë më vete’, u shpreh Rama.

“Prishja e këtij rendi dhe përpjekja e shfrenuar e një luzme pseudosh, që duke shfrytëzuar të gjithë parametrat dhe për fat të keq kushtet që ka krijuar kjo kohë e re, për t’u hyrë në gostinë e tyre me dhunë dhe për t’iu zënë vendin, pra për të zëvendësuar engjëjt me djajtë në atë gostinë e përveçme, është e frikshme, por meriton të luftohet dhe të luftohet pa u dorëzuar.”, tha Rama.

“Për këtë arsye besoj që kjo që bëhet sot është përtej detyrë së Autoritet të Dosjeve dhe dua ti them z. Simon, për të cilin kam një respekt të posaçëm për atë që është dhe arsyeja pse ai gjendet në këtë Autoritet, që ky është një akt human dhe një detyrim i kryer, jo ndaj thjesht Martin Camajt, por ndaj vetes, ndaj shoqërisë, ndaj vendit. Se në fund të ditës Martin Camaj mbase na sheh nga lart dhe buzëqesh”, theksoi Rama.

“Së bashku e Musine Kokalarin, për të cilën aktivitet të Autoritetit të Dosjeve u bë dhe hapja e procesit, ai ishte i fundit trashëgimtar i denjë i brezit të Rilindasve shqiptarë dhe pa asnjë diskutim ai është në atë tryezën epërme ku kanë zënë vend krenajat e letërsisë dhe ku nuk ngjiten zhurmat e vogla as nuk afrohen profilet e rëndomta”, thotë Ismail Kadare. Atje ka përherë mirëkuptim dhe harmoni ndaj e kremtja vazhdon përherë dhe ndriçimi i shandanëve luksozë. Dhe ndërkohë Ismaili këtë e ka shkruar përpara sesa të shfaqeshin djajtë dhe të dilnin nga të gjitha llojet e shisheve dixhitale edhe nga të gjitha llojet e skutave, ku është kultivuar mllefi hakmarrës i zhgarravinave dhe i mediokërve dhe t’i turreshin as më shumë e as më pak, por një njeriu që në jetën e tij, jo thjesht shkruajti në një mënyrë që zuri vendin tek krenajat e letërsisë, por mishëroi të gjithë sfilitjen fizike, shpritërore, psikologjike të asaj që ishte persekutimi komunist”, tha Rama.

“Jam shumë i lumtur që pas kaq shumë vitesh, kur si një mallkim në fakt, e ka ndjekur hija e persekutorëve të vet, jo më me duart e regjimit komunist, por me mashat e mllefit që ka mediokriteti, arrijmë që të bëjmë dritë, ose më saktë u arrit që të bëhet dritë, sepse arritja i takon Autoritetit dhe të gjithë atyre që janë këtu dhe kanë kontibuar në këtë drejtim”, tha Rama.

“Kam qenë i terrorizuar nga ideja që fatin e Martin Camajt, në publik, për shkak të këtyre shkurtabiqëve të pashërueshëm dhe të pangushëllueshëm që kapin një penë, shkruajnë një libër bëjnë një promovimin, gjejnë një sponsor që zakonisht shet sallam apo kikirikë mund ta pësonin as më shumë e as më pak por klerikët katolikë të Shqipërisë. Sepse gati-gati dukej si një plan. Por në fakt nuk është plan se fatmirësisht sot nuk ka kush i planifikon këto lloj ofensivash demaskuese, ose më saktë ka kush i planifikon, por jo në fushën e kulturës, ato zhvillohen në një fushë tjetër. Se më shkon gjuha ke deti, po s’po merrem me detin sot, në këtë moment. Se është një rast tipik. Kur s’ka marrëveshje, s’ka negociata, prej disa vitesh tani nuk kanë vazhduar negociatat sepse nuk kemi rënë dakord të thojnë bëj transparencë. Domethënë thellohu, thellohu. Domethënë ti diçka ke. Dhe kështu pashë që po shfaqeshin duart e këtyre mbi ëngjëjt e asaj gostisë së de Radës të veshur me veladonin e martirëve, dëshmorëve, të sakrifikuarve të klerit katolik që do të ishte kulmi dhe fundi për të gjithë ne si shoqëri, si institucione, si njerëz dhe si prindër. Prandaj pa Autoritetin e Dosjeve debati mbi Martin Camaj, por dhe për të tjerë do të ishte i destinuar të bëhej si pseudo debati i detit”, tha Rama.

 

Fraksion.com