“Bjellorusia”; Rama: Kryesia e OSBE-së e gatshme të ndihmojë dialogun
Kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar Edi Rama thirri sot në Vjenë, në cilësinë e kryetarit të radhës së OSBE-së një mbledhje të posaçme të Këshillit të Përhershëm të kësaj organizate, për të diskutuar situatën e krijuar në Bjellorusi pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit
Në fjalën e tij zoti Rama nënvizoi se OSBE-ja është ofruar të ndihmojë dialogun mes palëve pa ndërhyrë në punët e brendhme të Bjellorusisë dhe pa mbajtur anë. “Ne nuk po kërkojmë e as nuk duhet të kërkojmë rolin e vjetërsuar të ndërmjetësimit midis dy palëve. Ne thjesht duam të ndihmojmë Bjellorusinë si një prej nesh në këtë moment mjaft kritik. Siguri për secilin prej nesh dhe bashkëpunim me secilin prej nesh”, deklaroi zoti Rama.
Kryetari i rradhës i OSBE-së tha se shpreson që të ketë një përgjigje pozitive nga ana e autoriteteve bjelloruse për këtë ofertë. “U bëj thirrje autoriteteve bjelloruse, ju lutem, jepini një mundësi kësaj oferte. Përfitoni nga ky moment mundësie që Bjellorusia t’i largohet përballjes e të përpiqet për dialog dhe pajtim”, u shpreh zoti Rama.
Sipas kryeministrit shqiptar, situata e të drejtave të njeriut në Bjellorusi duhet të njohë “një përmirësim të menjëhershëm dhe domethënës. Tani, jo në të ardhmen, por tani dhe pa “nëse” dhe pa “por”. Është e pakonceptueshme të mendohet se mund të ketë një proces të besueshëm dialogu, nëse njëra prej palëve është e prirur të zhbëjë vetë thelbin e shoqërisë pluraliste”.
Zoti Rama saktësoi se “nëse roli për OSBE dhe vizita në Minsk do të pranohen, së pari, Kryesia Shqiptare do t’i qaset kësaj përpjekjeje pa asnjë agjendë të paracaktuar politike. E përsëris, është apo u takon bjellorusëve të bien dakord për mënyrën si do të ecë përpara Bjellorusia. Së dyti, kryesia do të punojë pa rreshtuar dhe me durim për të krijuar kushte të favorshme për një proces ndihmës. Ne do të sigurohemi që të mbetet kështu gjatë gjithë kohës, duke shoqëruar miqtë tanë bjellorusë në përpjekjen e tyre, pa u përpjekur të imponojmë asgjë mbi ta. Së fundi e në mënyrë thelbësore, Kryesia beson se çdo marrëveshje e arritur dhe garanci e ofruar duhet respektuar nga të gjitha palët dhe gjithë komuniteti, pra, nëse biem dakord për diçka, duhet t’i përmbahemi asaj. Në të kundërt, progresi i fituar me mund të zhbëhet e do duhet të luftojmë që të rikuperojmë”.
Në një bashkëbisedim me gazetarë shqiptarë në Vjenë pas takimit kryeministri shqiptar bëri të ditur se “nga ana bjelloruse nuk ka refuzim. Edhe sot, ambasadori i tyre në marrjen e fjalës nuk ishte aspak refuzues, thjesht tha që në kohën e duhur, ne do të japim përgjigjen tonë. Koha e duhur përcaktohet prej tyre. Kështu funksionon OSBE-ja”.
Më herët në Vjenë kryeministri shqiptar u takua ndër të tjera, me nënsekretarin amerikan të shtetit Stephen Biegun. Misioni amerikan në OSBE, bëri të ditur se mbështet nismën e kryetarit të radhës dhe se i bënte thirrje qeverisë bjelloruse të pranonte ofertën e OSBE-së. Nga ana e tij zoti Rama theksoi se “më vjen shumë mirë që ne kemi pasur një ndërveprim absolutisht pozitiv edhe me palën amerikane”, duke bërë të ditur se e njejta gjë ka ndodhur “edhe me palën ruse me të cilën kemi qenë sot dhe kemi diskutuar në një mëngjes pune”.
Bjellorusia u përfshi në trazira dhe përplasje, pasi presidenti Aleksandër Lukashenko deklaroi fitoren e tij për një mandat, të gjashtë, ndërkohë që opozita foli për manipulim të zgjedhjeve dhe nuk njohu rezultatin e tyre.
Fraksion.com