AktualitetNATO/BETë fundit

Vendet evropiane po fuqizojnë masat kundër pandemisë

Vendet kryesore evropiane Franca, Gjermania dhe Spanja njoftuan të enjten për masa më të ashpra kundër pandemisë së koronavirusit.

Franca zgjeroi urdhërin për të mbajtur maskën në të gjithë kryeqytetin, Paris, dhe ngriti numrin e rajoneve të vlerësuara si “zonë e kuqe” në 21, transmeton AFP.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në gjithë vendin ishte mbi 6.000.

Gjermania tha se do të gjobisë me 50 euro personat që nuk mbajnë maskë në vendet ku është e detyrueshme. Autoritetet thanë gjithashtu se tifozët nuk do të mund të marrin pjesë në ngjarjet sportive, të paktën deri në dhjetor.

Në Spanjë, autoritetet njoftuan se fëmijëve mbi gjashtë vjeç do t’u kërkohet të mbulojnë hundën dhe gojën në shkolla.

Vendet në të gjithë botën po përpiqen të balancojnë nevojën që njerëzit të kthehet në punë, dhe të studiojnë, me masat për të mbajtur nën kontroll pandeminë.

Pandemia e koronavirusit ka vrarë më shumë se 826,000 njerëz në të gjithë botën që nga paraqitja e rasteve të para në Kinë, në fund të vitit të kaluar. Deri më tani janë regjistruar më shumë se 24 milionë të infektuar.

 

Fraksion.com