Përfundon takimi në Bruksel, Hyseni dhe Gjuriq me qëndrime të ndryshme
Kosova dhe Serbia konfirmuan të enjten, pas takimit në Bruksel, se procesi negociator ka shënuar regres, dhe për këtë, të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën.
Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni ka thënë se pala serbe është treguar jokonstruktive në bisedime.
“Serbia u përpoq të rihapë kapituj të caktuar të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, mbi të cilën kemi pasur një marrëveshje në parim. E gjithë kjo konfirmon shqetësimin tim, të cilin unë e kam shprehur tashmë, se Serbia synon të zgjasë procesin, dhe të vendosë në tryezë çështje që kanë vetëm një qëllim, të vonojnë procesin”, tha Hyseni në fund të takimit.
Sipas tij, delegacioni serb po bën gjithçka për të lëvizur tërë procesin në nivelin teknik, gjë të cilën, sipas Hysenit, pala kosovare “nuk do ta lejojë kurrë”.
Kryenegociatori i Kosovës pretendon se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar, pasi bisedimet do të vazhdojnë, por ai insiston se nuk mund të ketë asnjë marrëveshje tjetër, përveç asaj që përfshin njohjen e ndërsjellë.
Ndërsa, kreu i delegacionit serb në bisedime, Marko Gjuriq, bisedimet i cilësoi si teknike, duke thënë se palët kanë diskutuar “për të pagjeturit dhe zhvendosurit brenda Kosovës, si dhe çështjet ekonomike”.
Ai tha se pala serbe e ka ngritur edhe çështjen e rrugës afër Manastirit të Deçanit si dhe ka kërkuar që sa më parë të zbatohet marrëveshja për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe.
“Ne sot luftuam këtu për interesat serbe përmes zgjidhjes së problemeve për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm, dhe çështja jetike e popullit tonë në Kosovë është të zbulojmë fatin e mbi 500 serbëve”, tha Gjuriq.
Ai tha se “bisedimet teknike do të mbahen sërish para takimit të liderëve politikë”.
“Pala kosovare po përhapë dezinformata kur thotë se po zhvillohen bisedime për njohje”, tha Gjuriq.
Sipas informacioneve jozyrtare nga delegacionet, ekspertë nga Beogradi dhe Prishtina do të takohen përsëri në Bruksel, më 6 shtator, një ditë para takimit të paralajmëruar të liderëve.
Më herët, i dërguari i Posaçëm për dialogun i BE-së, Mirosllav Lajçak, në një postim në Twitter ka bërë të ditur se është takuar me koordinatorët nga të dyja palët, për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit.
“Para takimit të nivelit të lartë politik në fillim shtatorit, u takova sot me kryenegociatorët/koordinatorët për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit”, ka shkruar Lajçak.
Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është dikutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.
Prej kur kishte rifilluar dialogu në nivelin e lartë, pos dy takimeve të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zhvilluar edhe tri takime në nivel ekspertës. Shefi i delegacionit të Kosovës në këto takime, Skender Hyseni, gjithmonë ka insistuar se bisedimet janë politike e jo teknike dhe se në to po përgatitet marrëveshja gjithëpërfshirëse, e cila do të përmbajë edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, delegacioni i Serbisë ka hedhur poshtë se po flitet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar se duhet të flitet edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, të cilat janë arritur më parë në këtë dialog.
Një javë pas takimit të sotëm në Bruksel, do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në Uashington i thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në BE atë takim nuk e shohin si konkurrencë apo garë mes tyre dhe SHBA-së, por vetëm si plotësim të përpjekjeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë vjeshtës, sipas burimeve të BE-së, pritet një rritje e dinamikës së takimeve, si në nivelin e lartë, ashtu edhe në atë të ekspertëve.
Në pjesën e parë të shtatorit do të mund të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, ndërsa takimet e ekspertëve do të mund të zhvillohen rregullisht, së paku një herë në javë, nëse rrethanat do të mundësojnë një gjë të tillë dhe palët do të kenë gatishmëri./REL
Fraksion.com