AktualitetRajoniTë fundit

Maas: Për konfliktin në Mesdheun Lindor nevojitet zgjidhje diplomatike

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, tha se për konfliktin në Mesdheun Lindor nevojitet zgjidhje diplomatike.

Në një deklaratë para takimit informal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) që mbahet në Berlin, Maas bëri të ditur se në takim do të diskutohet edhe çështja e Turqisë.

Ka shqetësime lidhur me zhvillimet në Mesdheun Lindor, theksoi Maas i cili shtoi se deri në fund të muajit do të shikohet se çfarë zhvillimi do të përjetohet dhe se ku do të shkojnë anijet në rajon.

Pasi theksoi se do të përpiqen për formimin e parakushteve me qëllim që Greqia dhe Turqia të kryejnë bisedime të drejtpërdrejta për të zgjidhur problemet, Maas tha se do të sigurojnë çdo kontribut që ato të mos përballen ushtarakisht.

“Në këtë mosmarrëveshje ne kemi nevojë për një zgjidhje diplomatike. Këtë ma kanë shprehur që të dy palët në bisedimet e mia në Athinë dhe Ankara. Askush nuk dëshiron që mosmarrëveshjen në Mesdheun Lindor ta zgjidhë me anije luftarake. Atëherë duhet të kryhen bisedime të drejtpërdrejta mes Athinës dhe Ankarasë”, deklaroi Maas.

Maas tha se situata në rajon është edhe më e vështirë. “Parakushti për bisedime janë përfundimi i manovrave në Mesdhe. Që të dy palët mund të sigurojnë kontribut për këtë. Kjo do të hapë hapësirë për bisedime diplomatike. Sigurisht që palët nuk ulen në tryezë ndërkohë që në Mesdhe anijet luftarake qëndrojnë përballë njëra-tjetrës”, shtoi Maas.

Ndërsa ndaj pyetjes nëse janë apo jo në përputhje me ligjin ndërkombëtar punimet e shpimit të Turqisë në Mesdhe, ministri Maas u përgjigj se “Ka shumë çështje ligjore që duhet të qartësohen. Ka mundësi që të shqyrtohen nga gjykatat përkatëse. Kjo do të jetë rruga më e lehtë. Madje kjo është një çështje edhe në bisedime”.

Pasi ka rikujtuar se javët e ardhshme është planifikuar të zhvillohet Samiti i Liderëve të BE-së lidhur me çështjen e Turqisë, Maas bëri të ditur se deri në atë kohë duhet të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjen mes Turqisë dhe Greqisë.

Maas njoftoi se në takimin informal të ministrave të jashtëm të BE-së do të diskutohet edhe për zhvillimet në Bjellorusi dhe se këtu do të vlerësohet se si mund të rritet presioni mbi presidentin e Bjellorusisë Alexander Lukashenko.

Ndër të tjera Maas deklaroi se ata kanë kërkuar nga Rusia që të kontribuojë në ndriçimin për çështjen e opozitarit rus Alexey Navalny i cili ndodhet nën trajtim në Berlin dhe për të cilin sipas gjetjeve të para theksohet se është helmuar./AA

 

Fraksion.com