AktualitetTë fundit

Ja se kur mbyllet klasa apo shkolla; Shahini publikon Udhëzimi për vitin e ri shkollor

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini  publikoi sot udhëzimet për fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Shahini theksoi se nga sot deri më 14 shtator kur planifikohet hapja e shkollave dhe fillimi i vitit të ri shkollor, do të ketë komunikime të vazhdueshme për fillimin e procesit të ri shkollor si dhe paqartësitë që mund të ketë në lidhje me këtë proces.

“Sot është botuar dhe udhëzuesi i Agjencisë për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar që tregon për skenaret e ndryshme që do të zbatohen në shkolla të ndryshme për të siguruar distancimin social për të siguruar shëndetin e nxënësve dhe mësuesve kur të kthehemi në shkolla”, tha ajo.

Shahini thekson se do punohet me 2,3 dhe katër turne në disa shkolla.

“Në Shqipëri kemi grupe të ndryshme të shkollave, shkollat e vogla me më pak nxënës të cilat mund të fillojnë mësimin normalisht deri sa nxënësit mbajnë maskë dhe shkollat janë të higjienizuara. Kemi shkolla që punojnë me një turn dhe kanë një numër të madh nxënësish dhe do duhet që një klasë të ndahet në dysh dhe të punojnë me dy turne dhe pastaj kemi dhe zonat e mëdha sidomos në zonat e prekura nga tërmeti që tashmë punojnë me dy turne dhe do duhet të ndahen në grupe më të vogla, me orar të shkurtuar dhe të punojnë me 3 apo dhe 4 turne”, tha ajo

Po ashtu, Shahini tha se sot patëm një takim me kryetarët e bashkive të mëdha dhe të bashkive të prekura nga tërmeti për të diskutuar rreth përgatitjeve që ato kanë bërë për të siguruar higjienizimin e shkollave dhe për të siguruar një mbarëvajtje të fillimit të vitit të ri shkollor

“Si gjithmonë ju mund të na shkruani dhe unë do mbledh pyetje dhe do të bëjë një përmbledhje të përgjigjeve. Sot kam përmbledhur tri nga pyetje që kanë ardhur në faqen time”, tha Shahini

Pyetjes së pse po vazhdoni me regjistrimet në RTSH shkolla kur keni deklaruar se shkollat do të hapen, Shahini tha se “RTSH shkolla është shndërruar në një kanal të posaçëm që i shërben arsimi si dhe është një nga mundësitë tona në rast se kemi nevojë të mbyllim një shkollë specifike, apo në rast se kemi një grup nxënësish që për arsye të ndryshme nuk do arrijnë të shkojë në shkollë. Pra RTSH shkolla do transmetojë të njëjtat mësime që zhvillohen në shkollë. Përveç RTSH shkolla do kemi dhe platformën online unike e cila do të mundësojë mësimin online”.

Në lidhje me pyetjen se nëse një fëmijë apo një mësues do të dal pozitiv me COVID-19, si do procedohet, Shahini tha se protokollet e sigurisë së shëndetit e përcaktojnë qartë se si do të veprohet në këto raste. Tamponimi ndodh për të gjithë grupin. Mbyllet klasa apo shkolla nëse ka patur kontakte me të tjerët dhe për një periudhë kohe 2-3 javë grupi i nxënëseve do vazhdojë mësimin nga shtëpia”.

Pyetjes se si do të rregullohet ngarkesa mësimore e mësuesve nëse ata do punojnë më shumë dhe a do shtohet numri i mësuesve, Shaini tha ne do shtojmë numrin e mësuesve dhe nëse sëmuret një mësues apo duhen mbuluar turnet, ne kemi buxhet të shtuar për të mbuluar çdo nevojë që del gjatë vitit për të vazhduar procesin mësimor”.

Në udhëzues parashikohen tre skenarë të mundshëm të zhvillimit të procesit mësimor: mësim në shkollë; mësim i kombinuar (në shtëpi dhe në shkollë); mësim në kushtet e shtëpisë (online).

Skenarët do të zbatohen në varësi të infrastrukturës së shkollave, të numrit të nxënësve dhe të përhapjes së virusit. Kështu mund të ndodhë që brenda një qyteti të ketë një shkollë që e zhvillon procesin mësimor normalisht dhe një shkollë që zbaton mësimine kombinuar (shkollë dhe shtëpi), siç mund të ndodhë që një shkollë ta nisë procesin mësimor normalisht dhe më pas të vijojë me mësimin në kushtet e shtëpisë për shkak të përhapjes së virusit. Në sistemin tonë arsimor, si në çdo vend të botës, ka shkolla që mund të mundësojnë zhvillim normal të procesit mësimor, ka shkolla që mund të mos jenë në gjendje të mirëpresin të gjithë nxënësit me kohë të plotë për shkak të zbatimit të rregullave të distancimit fizik dhe të masave të tjera mbrojtëse, ka shkolla që mund ta zhvillojnë mësimin me turne etj.

 

Fraksion.com