AktualitetPolitikëTë fundit

Zgjerimi i kufirit detar të Greqisë; Braçe: Nuk na ka pushtuar kush e as po na rrëmben kush tokë, det

Zëvendëskryeministri Erion Braçe lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjerësisë së detit territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare deklaroi sot se “nuk na ka pushtuar kush e as po na rrëmben kush tokë, det”.

Në një reagim Braçe shprehet “qetësohuni! Histeria nuk është fuqia jonë, është dobësia jonë. Po u drejtohem ju të gjithëve që keni mësyrë prej orësh në inbox këtu, Facebook, Whatsapp; qetësohuni nuk na ka pushtuar kush e as po na rrëmben kush tokë, det”.

“Nuk u jam përgjigjur deri tani se isha në punë, në zonë me njerëzit, pra as më ka ikur mendja e as më është mekur zëri!

Por edhe sepse nuk dua të ushqej histerinë që na zë e bën tapë në të tilla raste”, – u shpreh Braçe.

Zv/kryeministri Braçe tha se “toka, deti e gjithçka tjetër që Zoti na fali në këto anë e që ligjet ndërkombëtare e kombëtare na garantojnë, nuk i mbron histeria, por dija, qetësia, qartësia, ligji, pasioni dhe dashuria për çdo centimetër tokë e det të këtij vendi”.

“Nuk ka kush kohë e dëshirë ti japë zë asaj që është e padobishme. Tani na duhet bashkim, unitet, as akuza e as gjyq banal pa prova e fakte që bëjnë copash, përçajnë këtë vend e këtë popull. Kështu që qetësohuni e kujtoni se si kohë më pare ra si antikushtetuese një marrëveshje e një pushteti të degraduar. Me qetësi, qartësi e mbështetur fort në ligj. Jemi po të njëjtët”,  tha Braçe

 

Fraksioon.com