Messi kërkon të largohet nga Barcelona
Sulmuesi i ekipit të Barcelonës, Lionel Messi, kërkoi të largohet nga klubi futbollistik këtë verë.
Messi, 33 vjeç, shtetas i Argjentinës, tha se i ka dërguar një letër klubit, duke thënë se dëshiron të shfrytëzojë një klauzolë në kontratën e tij, që i lejon të largohet menjëherë, pa ndonjë pagesë.
Barcelona është mposhtur nga Bajern Mynihu me rezultat 8:2 në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve, më 16 gusht.
Klubi, megjithatë, beson se klauzola që përmend Messi tani ka skaduar dhe se ai është i kontraktuar deri në vitin 2021.
BBC raporton se midis Messit dhe Barcelonës tani pritet një betejë ligjore.
Messi kishte një klauzolë në kontratën e tij, e cila i lejonte të largohej pa pagesë, nëse do ta informonte klubin përpara 10 qershorit.
Kjo datë tani ka kaluar dhe Barcelona beson se edhe klauzola ka skaduar.
Megjithatë, Messi dhe ekipi i tij thonë se data duhet të shtyhet, për të mbuluar sezonin e zgjatur deri në gusht, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Messi, gjashtë herë fitues i Topit të Artë, ka bërë debutimin e tij për Barceolonën në vitin 2004 dhe ka fituar katër herë Ligën e Kampionëve.
Fraksion.com