Kuvendi republikan, vlerësime për punonjësit e shëndetësisë, sulme ndaj rivalit Biden
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump zuri vend qendror të hënën në mbrëmje në ditën e parë të Kuvendit Kombëtar Republikan dhe menjëherë dërgoi sinjalin se mbrojtja e mënyrës se si e ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit dhe krizën ekonomike që pasoi, është thelbësore për të fituar një mandate të dytë.
Natën e parë të Kuvendit Republikan, zoti Trump u shfaq në Shtëpinë e Bardhë duke përshëndetur disa punonjës të kujdesit shëndetësor, të cilët – përkundër pikëpamjeve të shumë amerikanëve – vlerësuan mënyrën se si ai e ka menaxhuar pandemine.
“Jeni një grup i mrekullueshëm”, u tha zoti Trump disa punonjësve të kujdesit shëndetësor dhe dy të mbijetuarve nga COVID-19, që janë shëruar nga sëmundja infektive, që ka shkaktuar vdekjen e mbi 177,000 vetëve në Shtetet e Bashkuara – më shumë se në çdo vend tjetër të botës – sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.
“Duhet ta zhdukim këtë virus kinez”, i tha Presidenti grupit të mbledhur në Shtëpinë e Bardhë, duke pranuar kështu mesa duket se virusi përbën një kërcënim edhe për rizgjedhjen e tij për një mandate të dytë. Askush në atë grup nuk mbante maskë, apo distancë nga njëri-tjetri, siç kanë këshilluar specialistët e mjekësisë.
Më pas, në Dhomën Diplomatike, zoti Trump përshëndeti gjashtë vetë që ishin mbajtur peng në vende të huaja, të cilët ishin lënë të lirë pas përpjekjeve diplomatike të Shteteve të Bashkuara, gjatë presidencës së tij.
Michael White, që ishte mbajur për dy vjet në Iran i tha Presidentit Trump: “Ju arritët të më nxirrnit nga ai burg. Ishte e mrekullueshme”.
Përgjigjia e demokratëve
Demokratët nxorrën një reklamë, duke vënë në lojë Kuvendin Republikan, njëlloj siç vepruan republikanët javën e kaluar, ndërsa mbahej Kuvendi i Demokratëve.
“Mirësevini në Kuvendin Kombëtar të Kaosit”, thotë zëri pas videos 30 sekondëshe, që hapej me një pamje të qendrës së qytetit Sharlotë ku po mbahet një pjesë e aktivitetit.
“Pasi Trump po e përballon momentin e COVID-it me një paaftësi që po shkatërron vendet e punës dhe keqmenaxhim vdekjeprurës, nxënësit dhe mësuesit janë lënë në fatin e tyre, të papunët janë lënë pa ndihmë, gjyshërit po vdesin të vetëm dhe ekonomia po shkatërrohet”, thotë reklama.
Një numër republikanësh, shumica duke folur nga Auditoriumi Mellon, shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, vlerësuan presidentin Trump dhe bënë thirrje për rizgjedhjen e tij.
Donald Trump Jr, sulmon ish-nënpresidentin Biden dhe demokratët
Djali i tij i madh, Donald Trump Jr., e përshkroi rivalin demokrat të të atit, ish-nënpresidentin Joe Biden, si “përbindëshin e një moçali”, duke iu referuar qeverisë federale, si edhe një kërcënim ndaj demokracisë amerikane.
Ai i quajti demokratët, si “partia e trazirave, plaçkitjes dhe vandalizmit”, duke iu referuar protestave kundër padrejtësisë racore në Shtetet e Bashkuara.
“Amerika e Trump-it është vendi i mundësive”, deklaroi ai.
Për presidentin Trump, katër ditët e Kuvendit Republikan janë thelbësore, një shans përmes pushtimit të ekraneve televizive që të bindë një numër të mjaftueshëm votuesish amerikanë se ai e meriton një mandat të dytë katërvjeçar, në një kohë kur shumica e anketave tregojnë se votuesit nuk e miratojnë punën e tij si udhëheqës i vendit në këto tre vjet e gjysëm.
10 javë deri në zgjedhje
Shumë votues kanë shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me presidencën kaotike të zotit Trump dhe përgjigjen e tij të pamjaftueshme ndaj pandemisë së koronavirusit. Të tjerë janë lodhur me mijëra postimet e tij në Twitter me sharje ndaj të gjithëve atyre me të cilët ai nuk është dakord, apo që e sulmojnë atë.
Atij i mbeten 10 javë për të bindur votuesit para zgjedhjeve të 3 nëntorit, por anketat tregojnë se zoti Biden kryeson me një epërsi mesatarisht prej 7.6 për qind, sipas një analize anketash nga faqja “Real Clear Politics”. Megjithatë epërsia e zotit Biden është më e vogël në disa shtete të pavendosura, që edhe këtë radhë mund të jenë vendimare për rezultatin e zgjedhjeve.
Në katër dekadat e fundit vetëm dy presidentë amerikanë nuk kanë arritur të zgjidhen për një mandat të dytë.
Presidenti Trump e humbi votën popullore në vitin 2016 ndaj demokrates, Hillary Clinton me afro 3 milionë vota më pak, por fitoi votat e Kolegjit Elektoral, i cili zgjedh presidentin, falë fitores me një diferencë të vogël votash në tre shtete — Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin — ku zakonisht kanë fituar demokratët. Megjithatë sondazhet tregojnë se zoti Biden është në avantazh në të treja këto shtete.
Presidenti amerikan zgjidhet përmes Kolegjit Elektoral, një formë jo e drejtpërdrejtë demokracie, ku rezultati përfundimtar përcaktohet nga fituesi në secilin nga 50 shtetet, jo vota popullore.
Emërim për një mandat të dytë
Më herët të hënën, mbi 300 delegatët që u mblodhën në Sharlotë të Karolinës së Veriut rirmëruan zotin Trump dhe nënpresidentin Mike Pence për një mandat të dytë. Presidenti Trump u shfaq në skenë për t’i falenderuar ata dhe i quajti zgjedhjet e 3 nëntorit “më të rëndësishmet në historinë e vendit”.
Ai u shpreh se e vetmja mënyrë që demokratët të fitonin ndaj tij, ishte përmes zgjedhjeve të manipuluara, duke përdorur votimin me postë.
“Ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet”, deklaroi zoti Trump, pa paraqitur prova. “Ta zëmë se nuk dërgojnë fletë votimi në lagjet republikane”, shtoi ai.
Zoti Trump do të shfaqet në të gjitha netët e Kuvendit kryesisht virtual, ku tani vëmendja zhvendoset në Uashington. Pika kulmore do të jetë fjalimin i tij i pranimit të emërimit, të enjten nga Shtëpia e Bardhë.
Senatori Tim Scott i Karolinës së Jugut, i vetmi senator afrikano-amerikan dhe Nikki Haley, një indiano-amerikane dhe ish-ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara, folën gjithashtu në Kuvend.
E drejta për armëmbajtje
Si president, zoti Trump, ka mbështetur me forcë të drejtat për armëmbajtje, të sanksionuara në Amendamentin e Dytë të Kushtetutës amerikane.
Por ndërsa shumë demokratë bëjnë thirrje për kufizimin e armëmbajtjes, republikanët e sollën këtë çështje në qendër të vëmendjes, me dy folës të debatueshëm, Mark dhe Patricia McCloskey, një çift nga qyteti St. Louis i shtetit Mizuri, që dolën para shtëpisë së tyre me armë, ndërsa protestues të lëvizjes “Black Lives Matter”, kalonin para shtëpisë së tyre në një demonstratë kundër padrejtësisë sociale në qershor.
Ata thanë se ishin ndjerë të kërcënuar nga protestuesit, por një prokuror në St. Louis ngriti akuza ndaj tyre për përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
“Donald Trump do ta mbrojë të drejtën tuaj të dhënë nga Zoti për të mbrojtur veten dhe familjen”, tha Mark McCloskey.
“Familjet tuaja nuk do të jenë të sigurta me programin radikal të demokratëve”, tha gruaja e tij.
Një Kuvend i reduktuar
Javën e kaluar demokratët e mbajtën Kuvendin e tyre plotësisht nga distanca, me fjalime të regjistuara ose të drejtpërdrejta, për të shmangur përhapjen e koronavirusit.
Delegatët republikanë në Sharlotë iu nënshtruan matjes së temperaturës dhe testimit për COVID-19. Të gjithëve u ishte kërkuar të testoheshin para se të niseshin nga shtetet e tyre dhe gjatë gjithë aktiviteteve të së hënës, ata mbanin paisje që të mundësonin gjurminin e kontakteve. 336 delegatë u mblodhën në Kuvend për të emëruar zotin Trump për një mandat të dytë.
Grumbullimi i republikanëve ishte shumë më i vogël se sa në kuvendet e mëparshme, megjithatë nuk ishte aq i minimizuar sa ai i demokratëve.
Zoti Biden, në fjalimin për pranimin e emërimit për president nga partia e tij demokrate javën e kaluar, tha se zoti Trump kishte sjellë një “stinë të errësirës në Amerikë” në të cilën ai nuk kishte arritur të kontrollonte pandeminë e kopronavirusit ndërsa miliona amerikanë kanë humbur vendet e tyre të punës. “Ne do të zgjedhim shpresën mbi frikën, faktet mbi trillimet, drejtësinë mbi privilegjin”, tha Biden.
Zoti Trump pretendoi se “Demokratët kishin mbajtur kuvendin më të errët, më të zemëruar dhe më të zymtë në historinë amerikane”. Ai i akuzoi ata se “e kishin portretizuar Amerikën si një vend racist dhe të tmerrshëm”.
Por ai nuk humbi kohë për të sulmuar zotin Biden pasi delegatët hodhën votat për emërimin e tij.
Siç ka bërë edhe më parë, zoti Trump e sulmoi rivalin e tij demokrat si një kukull të së majtës radikale, duke paralajmëruar se nëse ish-nënpresidenti zgjidhet në nëntor “ëndrra juaj amerikane do të vdesë”.
Republikanët e kanë quajtur kuvendin e tyre “Nderim për Historinë Madhështore Amerikane”. Fushata e zotit Trump tha se çdo natë do të përfshijë fjalime nga udhëheqës politikë si edhe nga “amerikanë të zakonshëm, historitë e të cilëve janë të mbushura me shpresë dhe patriotizëm”.
Tre ish-presidentët demokratë, Jimmy Carter, Bill Clinton dhe Barack Obama, së bashku me të emëruarin e demokratëve në vitin 2004, ish senatorin John Kerry dhe kandidaten e demokratëve për preseidente në zgjedhjet e vitit 2016 Hillary Clinton, mbajtën fjalim në mbështetje të zotit Biden në kuvendin e demkratëve.
Por as ish-Presidenti Republikan George W. Bush dhe as kandidati republikan për president në zgjedhjet e vitit 2012, Mitt Romney, i cili tani është senator i shtetit Jutas dhe një kritik i Presidentit Trump, nuk do të mbajnë fjalime në kuvendin e republikanëve.
Rreth 25 ish-ligjvënës republikanë shpallën mbështetjen e tyre për zotin Biden, ndërsa fillonte kuvendi republikan./VOA
Fraksion.com