Kosova do të përfitojë 138 milionë euro nga Bashkimi Evropian
Kryeministri Avdullah Hoti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ka nënshkruar marrëveshjet financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) për programet IPA 2019, pjesa 2 dhe IPA 2020.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës, procedurat për hyrjen në fuqi këtyre marrëveshjeve “do të nisin sa më parë që të jetë e mundur, kurse me hyrjen e tyre në fuqi, Kosova do të përfitojë në total 138 milionë euro nga BE-ja”.
“Këto fonde do të zbatohen të kombinuara me më shumë se 40 milionë euro fonde të tjera në formë huamarrjeje nga institucionet financiare ndërkombëtare për projekte të mëdha infrastrukturore nga fusha e mjedisit, energjisë dhe bujqësisë, si dhe bashkëfinancim nga ana e Qeverisë së Kosovës për disa nga projektet”, theksohet në njoftim.
Nga këto programe, siç bën të ditur njoftimi, përveç të tjerash, Kosova do të përfitojë 20.5 milionë euro si grant në buxhet këtë vit për të ndihmuar stabilitetin fiskal të vendit dhe 6 milionë euro të tjera vitin e ardhshëm.
Qeveria e Kosovës konsideron se zbatimi i projekteve të financuara nga këto programe do ta nxisë riaktivizimin ekonomik të vendit dhe do të ndikojë fuqishëm në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.
IPA (Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit), është një instrument financiar i shfrytëzuar nga BE-ja që ka për synim të ndihmojë vendet që janë në procesin e anëtarësimit në BE. Objektivat kryesore të IPA-s përfshijnë forcimin e institucioneve demokratike, reformimin e administratës dhe ekonomisë, promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, përmirësimin e respektimit të të drejtave të minoriteteve dhe zhvillimin e shoqërisë civile.
Fraksion.com