AktualitetRajoniTë fundit

Talat Xhaferi rizgjidhet Kryetar i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut

Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut e rizgjodhi Talat Xhaferin si kryetar të të tij. 62 ligjvënës të partive të shumicës së re parlamentare votuan pro, 43 deputetë të VMRO-DPMNE-së kundër, ndërsa deputetët e opozitës shqiptare “Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa” u larguan nga seanca para aktit të votimit.

Seanca u zhvillua mes kritikave të shumta të deputetëve opozitarë maqedonas të cilët thanë se nuk do ta votonin zotin Xhaferi për shkak të aleancës së partisë së tij me LSDM-në, drejtuesit e së cilës i konsiderojnë si njerëz të përfshirë në vepra kriminale dhe manipulime të tjera.

Zoti Xhaferi falënderoi deputetët për besimin e dhënë, përfshirë ata të opozitës për debatin konstruktiv, përfshirë ata që u larguan nga salla para se të fillonte votimi. “Do të jem në funksion të ligjeve të Kushtetutës dhe rregulloreve”, tha kryetari i sapozgjedhur i parlamentit.

VMRO-ja u përpoq të bindte BDI-në që të mos hynte në koalicion me LSDM-në për shkak të, siç tha ajo, ofendimeve dhe nënçmimeve që anëtarët e LSDM-së kishin bërë gjatë fushatës së fundit zgjedhore nda BDI-së dhe shqiptarëve.

Ish-kryetari i grupit të deputetëve të opozitës, Nikolla Micevski kritikoi shumicën për “mënyrën e turpshme të drejtimit të seancave, duke mos respektuar të drejtat e deputetëve dhe duke keqpërdorur rregulloren e parlamentit.”

Ndërkohë, deputeti i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët – Alternativa” Skender Rexhepi theksoi “vjedhjen e votave”, sipas tij, në zgjedhjet e fundit “që vranë shpresën e shqiptarëve për demokraci”. “Nuk do të marrim pjesë në një akt të turpshëm historik të votimit”, tha deputeti Rexhepi.

Talat Xhaferi ishte Kryetar i Parlamentit gjatë mandatit të kaluar, respektivisht nga 27 prilli i vitit 2017, kur ndodhën sulmet e dhunshme nga përkrahës të VMRO-së ndaj ligjvënësve brenda parlamentit. Ai ka qenë deputet edhe në përbërje të kaluara dhe Ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. Me profesion është ushtarak, ka ndjekur studimet në Akademinë ushtarake në Beograd dhe ka qenë oficer i ushtrisë jugosllave. Më vonë ai u angazhua në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare, e cilia organizoi një kryengritje kundër forcave policore dhe ushtarake në vitin 2001 në Maqedoninë e Veriut për të drejta më të mëdha të shqiptarëve në këtë vend.

Shumica e re parlamentare i ka 62 deputetë, prej të cilave 46 të LSDM-së, 4 të Lëvizjes Besa, 15 të BDI-së dhe 1 të Partisë Demokratike Shqiptare, të mjaftueshëm për ta votuar edhe kabinetin e ri qeveritar, i cili do të drejtohet nga udhëheqësi i LSDM-së, Zoran Zaev.

 

Fraksion.com