Udhëheqësi i opozitës ruse në spital, dyshohet se është helmuar
Politikani i opozitës ruse Alexei Navalny është pa vetëdije në një spital të Siberisë pasi piu një filxhan çaj, në të cilin zëdhënësja e tij dyshon se ishte hedhur helm. 44 vjeçari Navalny është nën kujdes intensiv dhe po trajtohet me një respirator artificial të mushkërive, tha zëdhënësja e tij Kira Yarmysh në mediat sociale.
Алексей по-прежнему без сознания, его подключили к аппарату искусственной вентиляции легких. В больницу по нашему требованию вызвали полицию
— Кира Ярмыш (@Kira_Yarmysh) August 20, 2020
Agjencia ruse e lajmeve TASS, shkroi se zoti Navalny është në gjendje të rëndë, duke cituar mjekun kryesor të spitalit.
Një kritik i ashpër i Presidentit Vladimir Putin, Alexei Navalny filloi të ndjehej i sëmurë të mërkurën, ndërsa ishte duke udhëtuar me avion gjatë kthimit në Moskë nga qyteti i Tomskit në Siberi, tha zëdhënësja e tij Kira Yarmysh.
“Ne supozojmë se Aleksei ishte helmuar me diçka të përzier në çajin e tij. Ishte e vetmja gjë që ai piu në mëngjes. Mjekët thonë se helmi ishte tretur më shpejt për shkak të lëngut të nxehtë. Alexei tani është pa ndjenja”, thuhet në një postim të zonjës Yarmysh në Twitter.
Ajo nuk tha se kush mund ta ketë helmuar zotin Navalny, por tha se policia ishte thirrur në spital.
Megjithatë, njëri prej mjekëve tha se nuk është e sigurt se ai ishte helmuar. Doktori Anatoly Kalinichenko tha se “helmimi natyror” ishte një nga disa diagnozat që po shqyrtoheshin dhe se testimet po vazhdonin.
Alexei Navalny, një avokat dhe aktivist kundër korrupsionit, ka vuajtur shumë dënime me burg vitet e fundit për organizimin e protestave kundër Kremlinit dhe është sulmuar fizikisht në rrugë nga aktivistë pro-qeveritarë.
Ai ka ndihmuar në hetimet që ai ka thënë se janë shembuj të jashtëzakonshëm të korrupsionit zyrtar.
Rusia mban zgjedhjet rajonale muajin tjetër dhe zoti Navalny dhe aleatët e tij janë duke u përgatitur për to, në përpjekje për të shtuar të mbështetjen për kandidatët e tyre.
“Ne konfirmojmë që Alexei Navalny është shtruar në spital në Omsk dhe se mjekët e vlerësojnë gjendjen e tij si serioze. Mjekët po bëjnë gjithçka që është e mundur për të stabilizuar gjendjen e tij. Helmimit është një nga disa mundësitë që po shqyrtohen. Nuk është e mundur tani të thuhet se cili ishte arsyeja e shtrimit të tij në spital”, Tatyana Shakirova, zëdhënëse e ministrisë rajonale të shëndetësisë në Omsk.
Një prej udhëtarëve në avion, Pavel Lebedev, postoi në mediat sociale një përshkrim të asaj që kishte parë.
“Në fillim të fluturimit ai shkoi në tualet dhe nuk u kthye. Ai filloi të ndjehej me të vërtetë i sëmurë. Ai po bërtiste nga dhimbja”, thuhet në postimin e tij.
Navalny kishte pirë një filxhan çaj në një kafene të aeroportit Tomsk para se të hynte në avion, tha zëdhënësja e tij Yarmysh. Agjencia ruse e lajmeve Interfax citoi pronarët e kafeneve të thoshin se ata po kontrollonin kamerat e sigurisë për të parë se çfarë kishte ndodhur.
Avioni në të cilin po udhëtonte zoti Navalny bëri një ulje urgjente në Omsk, në mënyrë që ai të mund të dërgohej me nxitim në spital. Në pamjet e postuara në mediat sociale nga pasagjerët shihetzoti Navalny i shtrirë dhe pa lëvizur duke u transportuar në një ambulancë nga mjekët.
S7, kompania ajrore me të cilën ai po udhëtonte, tha se zoti Navalny kishte filluar të ndihej shumë keq menjëherë pas nisjes së avionit dhe piloti kishte vendosur të bënte një ulje emergjente në një aeroport aty pranë.
Ai nuk kishte ngrënë ose pirë asgjë në avion, thuhet në njoftimin e kompanisë ajrore.
Zëdhënësja Yarmysh bëri një krahasim të ngjarjes me një incident vitin e kaluar në të cilën zoti Navalny pësoi një reaksion akut alergjik për të cilin një mjek tha se mund të kishte rezultuar nga helmimi me një kimikat të panjohur.
“Natyrisht e njëjta gjë është bërë me të tani”, thuhet në një postim të saj në Twitter.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur që arrestimet dhe ndalimi nga Rusia i zotit Navalny në vitet 2012 dhe 2014 ishin të motivuar politikisht dhe shkelje e të drejtave të tij të njeriut, një vendim që Moska e ka quajtur të dyshimtë./voa
Fraksion.com