AktualitetPolitikëTë fundit

Situata në Minsk; Rama: OSBE nuk shkon për selfie në protestë, kemi pasur komunikime me BE

Kryetari i radhës së OSBE-së, kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se “disa shqipe të politikës së madhe që fluturojnë lart, po vrerosen pse nuk kam shkuar në Minsk dhe ia paskam humbur një shans Shqipërisë”.

Në një reagim Kryeministri Rama thekson se “në Minsk OSBE nuk shkon për selfie në protestë, po për të komunikuar me qeverinë dhe opozitën, çka kërkon aprovimin e të dyja palëve”.

“Unë jam krenar për faktin se megjithë kohën e mallkuar të pandemisë, lidershipi ynë i OSBE ka kryer me sukses punën e premtuar dhe ka fituar respekt e besim ndërkombëtarisht, çka e tregon qartë edhe referimi i BE-së ndaj ofertës së OSBE për Minskun”, – nënvizon Rama.

Kryetari i radhës së OSBE-së, Kryeministri Edi Rama tha se “nuk i kemi bërë publike komunikimet e shpeshta të këtyre ditëve me aktorë të niveleve të larta në BE e jo vetëm, sepse kjo është natyra e punës në këtë fazë, por dua t’i siguroj të gjithë të interesuarit për këtë temë se Shqipëria po bën vërtetë më të mirën, bashkë me Suedinë”.

 

Fraksion.com