Situata në Bjellorusi; Macron-Merkel: Ndërmjetësim i dialogut nga Brukseli, Moska e veçanërisht OSBE
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel diskutuan sot përpjekjet për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës politike në Bjellorusi.
Macron dhe Merkel thanë gjatë një konference të përbashkët se Brukseli dhe Moska mund të ndihmojnë në zgjidhjen e krizës në Bjellorusi, me përfshirjen e institucioneve të tjera, veçanërisht OSBE.
Presidenti Emmanuel Macron dhe Kancelarja Gjermane Angela Merkel gjatë konferencës së përbashkët nga Fort Brégançon, theksuan se një dialog midis autoriteteve, opozitës dhe shoqërisë civile është thelbësore.
“Shpresojmë që ky dialog të mund të vendoset nga vetë bjellorusët. Por Bashkimi Evropian megjithatë është i gatshëm ta mbështesë këtë, nëse roli ynë i ndërmjetësimit mund të jetë i dobishëm dhe dëshirohet nga bjellorusët, me institucione të tjera, veçanërisht OSBE, dhe duke përfshirë Rusinë në dialogun e kërkuar” , tha Emmanuel Macron.
Udhëheqësit e BE-së por edhe SHBA janë shprehur pro një ndërmjetësimi mes palëve në Bjellorusi nga ana e Kryesisë së OSBE-së, që drejtohet nga Shqipëria.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot se SHBA i kërkon qeverisë së Bjellorusisë të pranojë propozimin e kryetarit të OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara.
Fraksion.com