AktualitetBota+Të fundit

Lehtësimi i dialogut në Bjellorusi; Pompeo: Qeveria bjelloruse të pranojë propozimin e kryetarit të OSBE-së

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i kërkoi sot qeverisë së Bjellorusisë të pranojë ofertën e kryetarit të OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara.

“Shtetet e Bashkuara janë frymëzuar nga shfaqja e shprehjes paqësore të popullit në Bjellorusi që kërkon të përcaktojë të ardhmen e vet. Ne i qëndrojmë angazhimit tonë afatgjatë në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Bjellorusisë, si dhe aspiratave të popullit në Bjellorusi për të zgjedhur udhëheqësit e vet dhe rrugën e vet, pa ndërhyrje nga jashtë”, tha Pompeo.

“Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar nga të metat serioze në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi dhe dënojmë me forcë dhunën e ushtruar ndaj protestuesve dhe gazetarëve paqësorë, arrestimin e kandidatëve të opozitës dhe protestuesve paqësorë, bllokimin e shërbimit të internetit të Bjellorusisë dhe abuzimin e të ndaluarve. Ne bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të atyre që janë arrestuar padrejtësisht dhe kërkojmë llogari për ata që raportohen të zhdukur”, vijon deklarata e Sekretarit të Shtetit.

Pompeo tha se “Shtetet e Bashkuara mbështesin zgjedhje të lira dhe të ndershme që pasqyrojnë vullnetin e popullit në Bjellorusi si një çështje parimi”.

“Zgjedhjet e 9 gushtit nuk e përmbushën atë standard. Bjellorusia, si Shtetet e Bashkuara, është një anëtar i OSBE-së, i cili i mbështet ato standarde. Ne i kërkojmë qeverisë së Bjellorusisë të pranojë propozimin e kryetarit të OSBE-së për të lehtësuar dialogun dhe të angazhojë të gjithë palët e interesuara. Ne mbështesim përpjekjet ndërkombëtare për të parë në mënyrë të pavarur parregullsitë elektorale të Bjellorusisë, abuzimet e të drejtave të njeriut rreth zgjedhjeve dhe goditjet që kanë pasuar”, tha ai.

Pompeo i bëri thirrje qeverisë bjelloruse që të angazhojë në mënyrë aktive shoqërinë bjelloruse, përfshirë përmes Këshillit Kombëtar të sapokrijuar, në një mënyrë që pasqyron atë që populli i Bjellorusë kërkon, për hir të së ardhmes së Bjellorusisë, dhe për një Bjellorusie të suksesshme.

 

Fraksion.com