AktualitetPolitikëTë fundit

Situata në Bjellorusi; BE mbështet propozimin e Edi Ramës, kreut të OSBE-së

Këshilli Europian pranoi sot propozimin e Kryetarit të OSBE, Edi Rama  për të zhvilluar një takim me presidentin bjellorus Alexander Lukashenko dhe lideren e opozitën, Svetlana Tikhanovskaya.

Në përfundim të mbledhjes së posaçme që zhvilluan sot krerët e qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Europian për situatën në Bjellorusi, Këshilli doli me konkluzionet ku në pikën 8 shprehet mbështetja për iniciativën e kryetarit të OSBE-së.

“Ne do të vazhdojmë ta ndjekim situatën nga afër dhe do të jemi të gatshëm të kontribuojmë në përpjekjet për t’i dhënë fund krizës në mënyrë paqësore. BE mbështet plotësisht propozimet e OSBE-së për dialog në Bjellorusi dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë për t’i përmirësuar ato”, thuhet në pikën 8 të konkluzioneve të Këshillit Europian.

Dy ditë më parë Kryesia e OSBE-së me anë të një deklarate theksoi se vazhdon të ndjekë me vëmendje situatën në Bjellorusi.

“Ne ritheksojmë shqetësimet tona për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit 2020, të cilat nuk mund të vëzhgoheshin nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, dhe përdorimi joproporcional i forcës kundër protestuesve paqësorë, ndalimet e shumta dhe torturat dhe keqtrajtimet e dyshuara  nga forcat e sigurisë.

Një dialog i hapur dhe konstruktiv është i nevojshëm për të gjetur një rrugëdalje në Bjellorusi.

OSBE-ja është e gatshme ta mbështesë këtë dhe të angazhohet me të gjithë aktorët e interesuar.

Kryetari i OSBE-së, Kryeministri dhe Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryetari i ardhshëm i OSBE-së, Ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde, shprehën angazhimin që të takohen me qeverinë dhe përfaqësuesit e opozitës.

Kryesia e OSBE-së rithekson nevojën urgjente për pajtim të plotë me parimet dhe angazhimet e OSBE-së, përfshirë promovimin dhe mbrojtjen e lirive themelore dhe të drejtave të njeriut si edhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial”, përfundonte deklarata e OSBE-së.

 

Fraksion.com