Gjermania paralajmërim kundër ndërhyrjes së munshme ushtarake ruse në Bjellorusi
Gjermania paralajmëroi kundër një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake ruse në Bjellorusi dhe bëri thirrje për dialog kombëtar për të kapërcyer krizën politike në vend.
Duke folur në një konferencë shtypi në Berlin pas një videokonference me krerët e BE-së, kancelarja Angela Merkel tha se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit në Bjellorusi nuk ishin “as të drejta, as të lira”, dhe për këtë arsye rezultatet nuk do të njihen nga BE-ja.
E pyetur për rolin e mundshëm të Rusisë fqinje në kapërcimin e krizës së vendit dhe spekulimet për ndërhyrjen e mundshme ushtarake, Merkel tha se qeveria e saj është në dialog të ngushtë me Moskën për të eliminuar skenarët e tillë.
“Rusia dhe Bjellorusia kanë një marrëdhënie shumë të ngushtë me marrëveshje thelbësore. Megjithatë, e kemi sqaruar se një ndërhyrje ushtarake ruse do t’i ndërlikonte gjërat në masë të madhe”, tha ajo.
Merkel theksoi se Bjellorusia duhet të gjejë një mënyrë për të dalë nga kriza vetëm përmes një procesi të dialogut kombëtar, duke marrë parasysh kërkesat e opozitës.
Ajo tha se vendet anëtare të BE-së do të punojnë për sanksione ndaj atyre që fshihen pas dhunës kundër demonstruesve paqësorë dhe atyre që janë përgjegjës për mashtrime zgjedhore.
Alexander Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vjet, fitoi zyrtarisht zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit me 80,1 për qind të votave. Rivalja e tij kryesore Svetlana Tikhanovskaya siguroi vetëm 10,12 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Tikhanovskaya tha të hënën se ajo është e gatshme të udhëheqë vendin përmes një periudhe kalimtare në mënyrë që t’i japë fund trazirave dhe të organizojë “zgjedhje të drejta dhe të hapura presidenciale” sa më shpejt të jetë e mundur.
Fraksion.com