AktualitetNATO/BETë fundit

BE nuk njeh rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi

Bashkimi Evropian tha të mërkurën se nuk e njeh rezultatin e zgjedhjeve të 9 gushtit në Bjellorusi, proces që kritikët e Presidentit Aleksandër Lukashenko thonë se ishte i manipuluar për të zgjatur 26 vitet në pushtet të tij. BE-ja tha gjithashtu se do të vazhdojë me planet për t’i vendosur sanksione Bjellorusisë.

BE-ja do t’u vendosë së shpejti sanksione një numri të konsiderueshëm personash përgjegjës për dhunën, shtypjen dhe manipulimin e zgjedhjeve“, tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel pas një takimi të jashtëzakonshëm të vendeve të bllokut, për të diskutuar rreth krizës në Bjellorusi.

Trazirat në Bjellorusi u përshkallëzuan të mërkurën pasi Presidenti Lukashenko urdhëroi policinë të shtypë protestat në kryeqytetin e vendit Minsk një zhvillim që pason goditjen e ashpër të protestuesve paqësorë gjatë 10 ditëve të fundit. Kjo ka rezultuar në vdekjen e të paktën dy personave, plagosjen e qindra të tjerëve dhe ndalimin e rreth 7 mijë protestuesve.

Nuk duhet të ketë më trazira në Minsk të çfarëdo lloji qofshin“, njoftoi agjensia zyrtare e lajmeve “Belta” duke iu referuar komenteve të bëra nga Presidenti Lukashenko.

Presidenti rus Vladimir Putin, i cili i ka ofruar ndihmë ushtarake zotit Lukashenko, paralajmëroi të martën Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Presidentin Francez Emmanuel Macron të mos ndërhyjnë në punët e Bjellorusisë. Paralajmërimi i zotit Putin erdhi pas bisedave telefonike me këta të fundit.

Përpara takimit urgjent të nivelit të lartë të BE-së kundërshtarja politike e zotit Lukashenko u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të mos i njohin zgjedhjet presidenciale që sipas saj u manipuluan në favor të zotit Lukashenko. Por ky i fundit e ka hedhur poshtë një gjë të tillë.

Kundërshtarja politike Sviatlana Tsikhanouskaya i bëri komentet nga Lituania, ku u arratis pas zgjedhjeve.

Zoti Lukashenko ka humbur gjithë legjitimitetin në sytë e kombit tonë dhe botës“, tha ajo.

Zonja Tsikhanouskaya thotë se është ajo fituesja e zgjedhjeve të 9 gushtit dhe ka bërë thirrje për proces të ri nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Ndërkohë ditët e fundit punëtorët në Bjellorusi janë hedhur në grevë si pjesë e një fushate për të larguar nga pushteti presidentin autoritar. Trazirat filluan të përshkallëzohen pasi zoti Lukashenko hodhi poshtë kërkesat për të dhënë dorëheqjen dhe pas një sulmi të ashpër të policisë ndaj protestuesve paqësorë. Ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde ka ofruar të vizitojë Bjellorusinë në funksionin e kryetares së radhës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), e cila shpesh ndërmjetëson mosmarrëveshjet në kontinent. Kombet perëndimore dhe ish-republikat e ish-Bashkimit Sovjetik janë anëtare të OSBE-së./voa

 

Fraksion.com