SHBA dhe Rusia vazhdojnë mospajtimet për zgjatjen e traktatit të armëve bërthamore
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë përfunduar një raund të tretë të bisedimeve për kontrollin e armëve, duke mos tejkaluar kundërshtimet për disa çështje kyçe.
Megjithatë, të dyja palët treguan një gatishmëri që mundësisht të zgjasin Traktatit për Reduktimin e Armëve Strategjike (New START).
Traktati vendos kufizime në numrin e armëve bërthamore nga ana e SHBA-së dhe Rusisë, në jo më shumë se 1,550 nga secili shtet.
Traktati skadon në muajin shkurt, përveç nëse të dyja palët bien dakord ta zgjasin atë për pesë vjet.
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kinës të bashkohej në negociata, por propozimi është refuzuar nga Pekini. Moska thotë se nëse Kina do të bashkohet, atëherë duhet të përfshihen edhe Britania e Madhe dhe Franca.
“Ekzistojnë disa fusha të mospajtimeve midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”, tha i dërguari i posaçëm presidencial i SHBA-së për Kontrollin e Armëve, Marshall Billingslea.
Bisedimet dyditëshe janë mbajtur në Vjenë.
“Ne jemi të gatshëm të mendojmë për një zgjatje të traktatit, por një zgjatje e tillë do të ndodhë vetëm nëse mund të adresojmë disa shqetësime të rëndësishme”, tha Billingslea.
Shtetet e Bashkuara dëshirojnë traktat të ri të kontrollit të armëve bërthamore që do të mbulojë një spektër më të gjerë të armatimit, masa më të forta verifikimi dhe transparence, si dhe përfshirjen e Kinës.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i cili drejtoi bisedimet për kontrollin e armëve në emër të Moskës, tha se “përparësitë e të dyja vendeve në këtë fazë ndryshojnë ndjeshëm”.
Rusia ka thënë se është e gatshme të zgjasë traktatin, por pa parakushte dhe paralajmëroi se nuk ka kohë të mjaftueshme për të rinegociuar një traktat të ri.
Dy raundet e para të bisedimeve, midis dy vendeve, u zhvilluan në qershor dhe korrik, por nuk u shënua asnjë përparim mbi një zgjatje të mundshme të traktatit.
Fraksion.com