AktualitetNATO/BETë fundit

“NATO nuk përbën kërcënim për Bjellorusinë”; Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s diskuton me Presidentin e Polonisë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg adresoi situatën në Bjellorusi në një bisedë telefonike me Presidentin Andrzej Duda të Polonisë të martën (18 gusht 2020).

Të dy liderët ranë dakord që Minsk duhet të tregojë respekt të plotë për të drejtat themelore, përfshirë lirinë e fjalës dhe të drejtën e protestës paqësore.

Ata më tej ranë dakord që Aleanca të mbetet vigjilente dhe rreptësisht mbrojtëse, e përgatitur për të parandaluar çdo agresion kundër aleatëve të NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm theksoi se NATO nuk përbën kërcënim për Bjellorusinë dhe nuk ka shtim të forcave  ushtarake në rajon. Të gjithë aleatët mbështesin një Bjellorusi sovrane dhe të pavarur.

Sot më herët, presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, njoftoi se ka urdhëruar vendosjen e trupave përgjatë kufijve perëndimorë të vendit në gatishmëri të plotë luftarake.

Këtë javë, disa vende të BE-së kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në Bjellorusi, pasi dhjetëra mijëra demonstrues dolën në rrugë duke kërkuar zgjedhje të reja dhe të ndershme presidenciale.

Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, zyrtarisht fitoi zgjedhjet me 80,1 për qind të votave. Rivali i tij kryesor, Svetlana Tikhanovskaya, fitoi vetëm 10,12 për qind të votave.

Lukashenko nuk pranoi të mbajë një votim të ri, duke deklaruar se, “Ju nuk do të më shihni mua duke bërë diçka nën presion”.

 

Fraksion.com