AktualitetBota+Të fundit

Mali, arrestohet presidenti dhe kryeministri, dërgohen në një kamp ushtarak

Në Mali të Afrikës Perëndimore është arrestuar presidenti Ibrahim Boubacar Keita, kryeministri Boubou Cisse dhe disa zyrtarë të tjerë dhe janë dërguar në kampin ushtarak Kati.

Siç raporton Journal du Mali, Keita dhe Cisse pasdite rreth orës 4.30 sipas kohës lokale u dërguan në kampin Kati, që ndodhet 15 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit Bamako.

Më herët u raportua se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri në kampin ushtarak Kati, ndërsa kamionët ushtarak janë parë në rrugën që shkon drejt kryeqytetit. Thuhet se ushtria bllokoi rrugën nga qyteti Kati drejt Bamako-s, duke mbyllur edhe bizneset dhe zyrat.

Mediat lokale raportuan se disa zyrtarë, përfshirë ministrin e financave, kreun e Asamblesë Kombëtare dhe disa figura të tjera të shquara po ashtu u arrestuan nga persona të armatosur.

Moussa Faki Mahamat, kreu i Komisionit të Unionit Afrikan, dënoi arrestimet.

“Dënoj me forcë arrestimin e presidentit Ibrahim Boubacar Keita, të kryeministrit dhe të anëtarëve të tjerë të qeverisë së Malit dhe bëj thirrje për lirimin e tyre të menjëhershëm”, tha Mahamat në një postim në twitter.

Ai theksoi se dënon fuqishëm çdo përpjekje për ndryshim anti-kushtetues dhe u bëri thirrje shkelësve të ndalin çdo përdorim të dhunës dhe të respektojnë institucionet republikane.

Mali tashmë disa muaj është e tronditur nga protestat me anë të të cilave kërkojnë dorëheqjen e presidentit Keita.

Në postimet në mediat sociale, ambasada franceze dhe ajo belge në Mali u kërkuan qytetarëve të tyre të kufizojnë lëvizjen e tyre duke pasur parasysh situatën e tensionuar për momentin në Bamako.

Misioni i Stabilizimit Shumëdimensional i Kombeve të Bashkuara (OKB) në Mali lëshoi një mesazh duke rekomanduar personelin e OKB-së “të shmangë zonën Kati dhe të gjitha lëvizjet e panevojshme rrugore në Bamalo deri në një njoftim të mëtejshëm”.

Sipas Kërkimeve Ndërkombëtare të Sigurisë dhe Konflikteve, sot shtëpisë së ministrit të Drejtësisë, Kassoum Tapo, iu vu zjarri dhe u vandalizua nga demonstruesit e rinj në Bamako.

Rebelimi ushtarak vjen në një kohë kur, për disa muaj, Komuniteti Ekonomik i Vendeve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS) ka ndërmarrë nisma dhe po vendos përpjekje të ndërmjetësimit midis të gjitha palëve në Mali.

“ECOWAS i bën thirrje ushtrisë që të kthehet në kazermat e saj pa u vonuar, si dhe kërkon nga të gjitha palët në Mali t’i japin përparësi dialogut për të zgjidhur krizën me të cilën përballet vendi i tyre. ECOWAS përsërit kundërshtimin e saj ndaj çdo ndryshimi politik anti-kushtetues dhe fton ushtrinë të mbetet në një pozicion republikan”, tha organi i Afrikës Perëndimore.

Muajin e kaluar, kreu i Komisionit të Unionit Afrikan kërkoi gjakftohtësi, vazhdim të dialogut dhe negociata për zbatimin e kujdesshëm të zgjidhjeve konsensuale për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe kohezionin social në Mali.

Tensionet në Mali shpërthyen në vitin 2012 pas një grusht shteti të dështuar dhe një rebelimi që përfundimisht u mundësoi grupeve militante të lidhura me al-Kaidën të marrin kontrollin e gjysmës së pjesës veriore të vendit./AA

 

Fraksion.com