Forumi Ndërkombëtar i Liderëve 2020; Balla: Ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimi, fenomene komplekse
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, mori sot pjesë në Forumin online Ndërkombëtar të Liderëve 2020 që startoi me ditën e parë të Konventës Kombëtare Demokrate.
Tema e përzgjedhur për ditën e parë lidhej me një nga rreziqet kryesore të demokracisë në shekullin e XXI “Dezinformimi, siguria kibernetike, mbrojtja e demokracisë digjitale”.
Në panelin ishin personalitete të rëndësishëm si Brad Smith, President i Microsoft, Professor Phil Howard, Drejtor i Oxford Internet Institute, Jeh Johnson, Ish-Sekretar i Sigurisë Kombëtare të SHBA, Elissa Slotkin, Anëtare e Kongresit të SHBA.
Balla tha se “gjatë diskutimit u nënvizua kërcënimi që vjen nga dezinformimi dhe lajmet e rreme në proceset demokratike sidomos në periudha zgjedhore. Ndërhyrjet e huaja në zgjedhje mund të marrin forma të ndryshme përfshirë fushatat e dezinformimit në mediat sociale për të ndikuar opinionin publik, sulmet kibernetike që synojnë infrastrukturën kritike në lidhje me zgjedhjet, mbështetjen e drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejtë financiare të aktorëve politikë. Panelistët nuk ofruan një zgjidhje të vetme sepse nuk mund të ketë një ‘formulë të suksesshme’ në luftën ndaj këtij fenomeni gjithmonë në evolim”.
Kreu i grupit parlamentar të PS-së shprehet se interesimit të tij mbi mënyrën se si qeveritë apo parlamentet duhet/mund të adresojnë dhe luftojnë lajmet e rreme dhe dezinformimin, me kujdesin e respektimit të fjalës së lirë apo lirisë së mediave, panelistët dhanë përgjigje të ndryshme.
“Për Profesor Howard “Gënjeshtrat nuk mund të gëzojnë të drejtën e fjalës së lirë…” dhe sigurisht kur flitet për shëndetin dhe sigurinë kombëtare atëherë është e nevojshme që institucionet të ndërmarrin masat e duhura për të ndërhyrë në legjislacion. Kuvendi i Shqipërisë përmes Rezolutës mbi “Ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimin në proceset demokratike kombëtare”, e përafruar me Rezolutën e Parlamentit Europian, ka kërkuar hapa të mënjëhershëm kundër çdo lloj forme të dezinformimit. Ashtu siç thoshte dhe Winston Churchill “Në kohë lufte, e vërteta është aq e shtrenjtë sa duhet të mbrohet gjithmonë nga një rojtar kundër gënjeshtrave””, – theksoi Balla.
Balla tha se “ndërhyrjet e huaja në proceset zgjedhore dhe dezinformimi janë fenomene komplekse, të cilat si fillim duhet të pranohen nga aktorët e brendshëm që ekzistojnë për të mundësuar më pas një adresim sa më efikas dhe të koordinuar të këtyre fenomeneve”.
Fraksion.com