“Dalja e dy ministreve krijoi më shumë paqartësi”; Vokshi: Strategjia për rihapjen e shkollave duhet të jetë publike
Ish deputetja e PD-së Albana Vokshi tha sot se deklarata e qeverisë për rihapjen e shkollave në shtator u bë në nxitim e sipër, nën presionin e vazhdueshëm të PD.
Vokshi tha se “dalja e dy ministreve krijoi më shumë paqartësi sesa dha sqarime, sepse qeveria nuk ka asnjë plan. Një qeveri me plan, e cila nuk vepron në panik dhe nuk improvizon, do të kishte publikuar sot udhëzuesin e detajuar për rihapjen e shkollave në kushtet e pandemisë.
Sa të gjata do të jenë orët e mësimit? Me sa turne do të jetë mësimi në Tiranë, ku shumica e shkollave janë me dy turne? Me sa nxënës do të jetë një klasë? Ku do të mësojnë nxënësit e shkollave të shkatërruara pas tërmetit? Me rritjen e numrit të klasave me turne, sa është numri i mësuesve dhe ndihmës mësuesve që do të punësohen? Cili është protokolli i sigurisë që do ndiqet në çdo shkollë dhe masat mbrojtëse që do sigurohen nga qeveria? Mbi të gjitha, sa është buxheti shtesë për të përballuar pandeminë në shkolla?”.
“Nxënësit, studentët dhe prindërit e tyre nuk kanë nevojë për daljet me skype e deklaratat boshe, që nuk sqarojnë asgjë. Strategjia për rihapjen e shkollave duhet të jetë publike”, tha ajo.
Fraksion.com