Bjellorusia vendos trupat në kufirin perëndimor
Presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, ka bërë të ditur se ka urdhëruar vendosjen e trupave në kufirin perëndimor të vendit në gatishmëri të plotë ushtarake.
Duke folur në një takim me Këshillin e Sigurisë së Bjellorusisë, presidenti Lukashenko tha se protestat në vend nuk janë spontane dhe se ngjarjet do të përshkallëzohen më tej.
Ai e kritikoi propozimin e opozitës që vendi të anëtarësohet në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE), duke theksuar se “askush nuk po pret” Bjellorusinë në këto organizata.
Sa i përket “këshillit të koordinimit” të propozuar nga opozita, Lukashenko tha se kjo është një përpjekje për të kapur pushtetin.
Më tej, kërkesa e opozitës për t’u tërhequr nga Organizata e Traktatit të Sigurisë Kolektive, sipas tij, do të çonte në çmontimin e sistemeve të mbrojtjes së Bjellorusisë, pasi pajisja ruse do të duhej të hiqet dhe armët e vendit së shpejti do të binin në disavantazh.
Në një deklaratë të ndarë, Ministria e Mbrojtjes e Bjellorusisë tha se ka vendosur sisteme të mbrojtjes ajrore në kufijtë e saj, me avionë luftarakë që patrullojnë hapësirën e saj ajrore.
Ministria ftoi atasheun ushtarak të Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Lituanisë, Polonisë dhe Ukrainës për t’i informuar për hapat që do të merren si përgjigje ndaj “kërcënimeve kundër sigurisë kombëtare të Bjellorusisë”.
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Lukashenko zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin.
Presidenti Putin informoi homologun e tij nga Bjellorusia për kontaktet e tij të fundit me kancelaren gjermane, Angela Merkel, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.
Putin tha se u shprehu atyre shqetësim lidhur me përpjekjet e disa vendeve për të kryer presion mbi Bjellorusinë dhe për destabilizim të vendit.
Ndërkohë, sekretari amerikan i mbrojtjes, Mark Esper, realizoi një telefonatë me homologun e tij rus, Sergey Shoygu.
Esper dhe Shoygu, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes, diskutuan “çështje të masave të ndërtimit të besimit dhe transparencës në mënyrë që të parandalojnë incidentet gjatë veprimtarisë ushtarake të palëve” dhe shkëmbyen mendime për konflikte në pjesë të ndryshme të botës.
Këtë javë, disa vende të BE-së kundërshtuan rezultatin e zgjedhjeve të fundit presidenciale në Bjellorusi, pasi dhjetëra mijëra demonstrues dolën në rrugë duke kërkuar zgjedhje të reja dhe të ndershme presidenciale.
Lukashenko, i cili ka qeverisur Bjellorusinë për 26 vite, zyrtarisht fitoi zgjedhjet me 80,1 për qind të votave. Rivali i tij kryesor, Svetlana Tikhanovskaya, fitoi vetëm 10,12 për qind të votave.
Lukashenko nuk pranoi të mbajë një votim të ri, duke deklaruar se, “Ju nuk do të më shihni mua duke bërë diçka nën presion”.
Fraksion.com