AktualitetPolitikëTë fundit

Dekorata e “Flamurit Kombëtar” për ish-presidentin Rexhep Meidani

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot me rastin e 76-vjetorit të lindjes, ish-presidentin e Republikës, Prof.Dr. Rexhep Meidani, me dekoratën më të lartë, atë të “Flamurit Kombëtar”.

Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast, ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ish-Presidentët e Shqipërisë, Sali Berisha, Bujar Nishani dhe Bamir Topi, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-kryeministri dhe Ministër për Diasporën, Pandeli Majko, Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi, deputetë, politikanë, diplomatë, akademikë, shkencëtarë, gazetarë dhe personalitete të shquara nga shumë fusha nga Shqipëria dhe Kosova.

Dekorata iu dha ish- presidentit Meidani me motivacionin “Në shenjë vlerësimi dhe mirënjohjeje ndaj përgjegjësisë së lartë shtetërore dhe atdhetare të treguar si President i Republikës së Shqipërisë në vitet 1997-2002; për kontributin e çmuar dhënë për reformën e rëndësishme të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë dhe për mbajtjen e referendumit të miratimit të saj në vitin 1998, si dhe për zhvillimin e demokracisë dhe për ngritjen dhe forcimin e institucioneve të pavarura në vendin tonë. Me nderim ndaj përpjekjeve të vendosura në mbështjetje të çështjes së Kosovës në veçanti dhe asaj kombëtare në përgjithësi. Gjithashtu, edhe për veprimtarinë e spikatur shkencore dhe akademike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, miqve, kolegëve dhe të ftuarve, Presidenti Meta theksoi se “Prof. Dr. Rexhep Meidani, jo vetëm ka arritur majat e edukimit, por ka qenë e vazhdon të mbetet edhe një shembull i spikatur i moralit, vlerave dhe dinjitetit njerëzor; një shtetar i vërtetë, një President dhe figurë politike, akademike dhe civile, i dalluar gjithmonë për modestinë, përgjegjshmërinë dhe ndikimin pozitiv në vendin dhe shoqërinë tonë”.

“Jeta publike e Prof. Dr. Rexhep Meidanit është e njohur dhe e vlerësuar nga të gjithë shqiptarët për përgjegjësinë e lartë shtetërore dhe atdhetare që ai tregoi si President i Republikës në vitet 1997-2002vite të cilat njihen si ndër më të vështirat në periudhën post-komuniste. Jo vetëm në detyrën e Kreut të Shtetit, por edhe më herët, Profesor Meidani ka dhënë një kontribut të madh për konsolidimin dhe zhvillimin e atij ideali tek i cili ai ka besuar gjithnjë me shumë forcë dhe qëndrueshmëri, demokracinë, duke punuar me përkushtim për përçimin e frymës gjithëpërfshirëse në politikë, në qeverisje, institucione dhe shoqëri”, – nënvizoi Meta.

Sipas tij, Meidani mori detyrën si Kreu i Shtetit në momentet më kritike për vendin, siç ishte viti 1997, duke kontribuar me sukses në rimëkëmbjen e rendit institucional dhe të vetë shtetit shqiptar.

“Mbetet i një rëndësie të veçantë kontributi i Profesor Meidanit në reformën e rëndësishme të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë dhe për suksesin e referendumit të miratimit të saj në vitin 1998. Ai moment historik, miratimi me referendum i Kushtetutës së Shqipërisë, i hartuar nga mendjet më të ndritura të vendit dhe Komisionit të Venecias, dhe i bazuar mbi shembujt dhe parimet më të vyera të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve, në përputhje me standardet më të avancuara europiane, dëshmon për vullnetin e madh që personalitete dhe shtetarë të vërtetë të kohës, si Profesor Meidani, e shumë figura të tjera të njohura, kishin që sovraniteti në Republikës së Shqipërisë t’i përkasë vetëm popullit shqiptar. Duke investuar të gjithë kapacitetin e tij intelektual, politik dhe njerëzor, në shërbim të ngritjes dhe forcimit të institucioneve të pavarura në Shqipëri”, – tha Meta.

Meta shtoi se “ai moment historik shërbeu si piketa më e rëndësishme dhe guri i themelit në rimëkëmbjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri”.

Më tej Meta tha se “Profesor Meidani njihet dhe vlerësohet për përpjekjet e tij të palodhura dhe të frytshme edhe në mbështetje të çështjes së Kosovës. Ai ishte Presidenti i Shqipërisë gjatë Luftës së Kosovës dhe i mikpritjes së madhe që vendi ynë ju rezervoi 1 milion vëllezërve dhe motrave nga Kosova, të cilët të detyruar nga gjenocidi i Milloshevicçt u strehuan në Shqipëri dhe u mirëpritën nga familjet shqiptare, gjetën ngrohtësi nga solidariteti historik i Kukësit, por edhe në çdo vatër shqiptare që nga Tropoja e deri në Sarandë”.

Duke e falenderuar përzemërisht Kreun e Shtetit për vlerësimin që i bëri me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, më të lartën në Republikën e Shqipërisë, ish-Presidenti Meidani u shpreh se “në rradhë të parë, më lejoni të falënderoj Presidentin Meta, për këtë vlerësim tepër të veçantë, madje krejt të papritur me rastin e 76-vjetorit të lindjes. Në të vërtetë Dekorata e “Flamurit Kombëtar” është dekorata më e lartë në Republikën e Shqipërisë”.

“Në këtë rrugë të gjatë jetësore dhe sfidat nuk kanë qenë të pakta, apo të vogla. Më kanë ndihmuar, për të qëndruar me këmbë në tokë dhe për të ruajtur edhe në momente mjaft të vështira, aspektin racional dhe human, përgjegjësinë sociale  dhe drejtësinë njerëzore, aset që u krijua dhe u edukua tek unë, nga familja, nga rrethi miqësor dhe shkolla, nga mjedisi universitar dhe shkencor”.

 

Fraksion.com