64,3% shkëmbimet tregtare me vendet e BE: Partnerët kryesorë tregtarë Italia, Turqia, Greqia dhe Kina
Shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zënë 64,3%, të gjithë tregtisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në muajin korrik të këtij viti, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 75,5% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 59,5% të importeve gjithsej.
Në korrik eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliardë lekë, ndërsa importet llogariten 56 miliardë lekë.
Referuar të dhënave, partnerët kryesorë tregtarë janë Italia me të cilën kryejmë 33,1% të vëllimit të tregtisë, më pas vjen Turqia me 7,6%, Greqia me 7,5% dhe Kina me 7,1%.
Në muajin korrik, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me korrikun e 2019-a janë Çekia, Serbia dhe Rumania.
Sipas INSTAT-t, eksportet drejt Çekisë u rritën me 14,7%, drejt Serbisë me 42,5%, dhe drejt Rumanisë me 12,1%.
Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë Italia me 16,9%, Kosova me 13,4 % dhe Spanja me 7,3%.
Sa i përket importeve, në muajin korrik të këtij viti, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe, në krahasim me korrikun e 2019-s janë Turqia me 23,1%, Kina me 3,3% dhe Maqedonia e Veriut me 29,8%.
Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë Italia me 7,6%, Greqia me 5,1% dhe Gjermania me 3,6%.
Fraksion.com