Komandanti i KFOR-it viziton Deçanin
Situata e përgjithshme në zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit ka qenë temë diskutimi mes komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.
Për këtë temë Risi po ashtu është takuar edhe me Peshkopin Sava Janjiq në Manastirin e Deçanit.
Siç njofton misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, Risi ka vizituar të shtunën zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit, e cila përfshin Manastirin ortodoks serb të Deçanit, zonën religjioze të mbrojtur nga KFOR-i, i cili vepron si reaguesi i parë i sigurisë.
“Në të dy takimet u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën R108 që shtrihet në afërsi të Manastirit të Deçanit”, thuhet në një njoftim.
“Gjeneral Majori Risi riafirmoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shtohet ne njoftim.
Të shtunën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se Beogradi do të kërkojë “pezullim urgjent dhe të përhershëm të punimeve të ndërtimit në zonën e mbrojtur të Manastirit të Deçanit” nga përfaqësuesit e Prishtinës dhe ndërmjetësit evropianë në takimin e ardhshëm në Bruksel.
Në një njoftim nga zyra e Presidentit të Serbisë thuhej se me këto punime po “rrezikohet njëra nga faltoret më të mëdha serbe e krishtere”.
Ati i manastirit të Deçanit Sava Janjiq, njoftoi në profilin e tij në Twitter se punimet në rrugë “në zonën e mbrojtur” filluan në 13 gusht.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, njoftoi përmes një postimi në Facebook se pas kërkesës së kryeministrit Avdullah Hoti, janë pezulluar punimet në rrugën R-108, “deri në fillim të javës së ardhshme”.
Fillimi punimeve të rrugës Deçan-Plavë (R-108), rrugë kjo që e lidh rajonin e Dukagjinit me atë të Plavës dhe Gucisë, ka filluar në 2018.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.
Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Vite më parë, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj, Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioqeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm, me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.
Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi.
Fraksion.com