Si do të transformohet Kopshti Zoologjik i Tiranës. Ishuj, mur kundër zhurmave e kënde lojërash
Kopshti Zoologjik i Tiranës do të pësojë një transformim rrënjësor.
Bashkia e Tiranës ka njoftuar se, “falë këtij investimi, Kopshti Zoologjik rikonceptohet tërësisht për t’iu përshtatur kërkesave të ndryshme të vizitorëve që e frekuentojnë dhe kafshëve që jetojnë aty, si dhe kushtet e punës për kujdestarët.
Këto ndahen në disa kategori si riorganizimi i hapësirave për kafshët dhe punonjësit, vendosja e ndriçimit rrugor dhe rrjeti i linjave rezervë për internet telefoninë, rrjetin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të ndotura, trajtimin e hapësirave të gjelbërta dhe plotësimi me elemente të mobilimit urban (stola, kosha të vegjël), si dhe krijimi i hapësirave për pushim, argëtim e piknik”.
“Me rritjen e popullaritetit në këtë kopsht, është rritur edhe nevoja për një infrastrukturë të përshtatshme parkimi. Ndaj Bashkia ka menduar dhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor me 100 vende duke u ardhur në ndihmë jo vetëm vizitorëve, por edhe komunitetit përreth.
Me rëndësi të veçantë ka rrethimi i jashtëm i Kopshtit Zoologjik, kjo për çështje sigurie dhe kontrolli jo vetëm për kafshët po dhe për banorët që jetojnë përreth. Rrethimi do bëhet me mur 2.50 metra nga niveli i tokës, mbi të cilin montohen kangjella 0.8 m të larta. I gjithë muri parashikohet të maskohet me gjelbërim dhe pemë”, informon bashkia e Tiranës.
Veç sigurisë fizike rrethimi ofron dhe një brez ‘buffer-i’ për zhurmat dhe privatësi nga ana vizuale.
Krahas këtyre në kopsht janë të shpërndara kënde lojërash për ta bërë eksperiencën për fëmijët dhe prindërit sa më të pasur.