Shkup: Zoran Zaev merr mandatin për formimin e qeverisë
Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski i dorëzoi mandatin për formimin e qeverisë së re kryetarit të LSDM-së Zoran Zaev.
“Nga ky moment në afat prej 20 ditëve kemi detyrë që ta krijojmë programin dhe kuadrin që do t’u shërbejnë qytetarëve. Do të fitojmë qeveri, e cila do të vazhdojë në drejtim të BE-së, prosperitetit dhe stabilitetit afatgjatë. Qeveria do të ketë kuadër cilësor, përgjegjës dhe llogaridhënës, prioritet do të jetë ekonomia, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, por edhe pastrimi i gjyqësorit”, deklaroi i mandatuari për formimin e qeverisë Zoran Zaev.
I pyetur se çfarë do të ndodhë nëse për 20 ditë nuk arrin të formojë qeveri, a do ta kthejë mandatin dhe a do të ketë zgjedhje të reja, Zaevi theksoi se kjo çështje është e rregulluar me kushtetutë, duke theksuar situatën e krijuar me formimin e qeverisë në vitin 2016.
“Kishim situatë të tillë në vitin 2016, mandati i ishte besuar Nikolla Gruevskit dhe ai nuk arriti për 20 ditë të formojë qeveri. Kushtetuta është e qartë kur skadon afati mandati kthehet. Dallimi qëndron në atë se tani unë do të arrij ta formoj qeverinë”, theksoi Zaevi. Sipas Kushtetutës, kreu i LSDM-së brenda 20 ditëve duhet të sigurojë shumicën parlamentare prej 61 deputetëve për formimin e qeverisë së re.
LSDM zhvillon negocata me BDI-në për formimin e qeverisë
Partitë ende heshtin për zhvillimin e negociatave për formimin e qeverisë së re. Jozyrtarisht negociatat mes LSDM-së dhe BDI-së kanë ngecur tek çështja e kryeministrit shqiptar. Nga LSDM thonë se bisedimet vazhdojnë dhe ka kohë për t’u arritur marrëveshje, ndërsa nga BDI nuk japin informacion. Bisedimet kanë ngecur tek çështja e kryeministrit dhe formulës për të, që vitin e parë të mandatit kryeministri të jetë i BDI-së dhe tre vitet e tjera i LSDM-së. Po ashtu në tryezë është hedhur edhe propozimi që derisa kryeministri të jetë i BDI-së kryeparlamentari i LSDM-së dhe kur LSDM të ketë kryeministrin, BDI të ketë kryetarin e parlamentit.
Dështon takimi i liderëve të partive shqiptare
Në përvjetorin e Marrëveshjes së Ohrit (13 gusht) , kryetari i BDI-së Ali Ahmeti kishte ftuar për takim të përbashkët liderët e partive shqiptare. Por ky takim qe i pasukseshëm, pasi në të nuk mori pjesë asnjë nga liderët e partive politike shqiptare. Ahmeti tha se i vjen shumë keq që nuk kanë marrë pjesë në ndarjen e përgjegjësive duke shtuar se BDI ka kapacitet për t’i zgjidhur problemet e qytetarëve.
“Më vjen keq që nuk morën pjesë në ndarjen e përgjegjësive. Ky takim do t’i shpaloste qëllimet dhe vështirësitë. BDI ka kapacitet për të zgjidhur problemet dhe çdo zgjidhje do të jetë në dobi të qytetarëve. Ne nuk punojmë me eufori, por me urtësi”, deklaroi Ali Ahmeti kryetar i BDI-së.
Në letrën drejtuar Ahmetit, kryetari i Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela dhe kryetari i Alternativës Afrim Gashi kanë thënë se parimisht janë dakord për një takim të tillë për koordinim të qëndrimeve të partive shqiptare, por kërkuan të precizohet rendi i ditës dhe të shtyhet takimi për një ditë tjetër, duke nisur nga e hëna e tutje.
“Mekanizmi politik i tryezës është një instrument i rëndësishëm politik për koordinimin e qëndrimeve të partive parlamentare shqiptare dhe si i tillë duhet të vazhdojë të kultivohet. Do të ishte mirë që ftesa të ketë edhe një propozim për rend dite, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë, për arsyen e organizimit të tryezës ”, thuhet mes të tjerash në letrën e Selës dhe Gashit.
Kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami thotë se janë për vendosje të një modeli të ri të takimeve të partive politike parlamentare shqiptare, por përkatësisht kjo të ndodhë pas formimit të qeverisë së re.
“Lëvizja Besa konfirmon qëndrimin për të vendosur një model të ri të takimit që do të realizohet pas formimit të qeverisë së re. Partitë shqiptare në qeveri duhet të detyrohen me përgjegjësi për realizimin e çështjeve me interes të madh për shqiptarët. Para përfundimit të mandatit të partive politike shqiptare në qeveri, ato të japin llogaridhënie për realizimin e çështjeve për të cilat janë dakorduar bashkarisht”, shprehet Bilall Kasami kryetar i Lëvizjes Besa.
Fraksion.com