FBI-ja do të marrë pjesë në hetimet për shpërthimin në Bejrut
Nënsekretari amerikan për Çështje Politike, David Hale ka thënë se Byroja Federale e Hetimeve (FBI) do t’iu bashkohet hetuesve ndërkombëtarë në kërkimet rreth shpërthimit vdekjeprurës të 4 gushtit në Bejrut.
Hale ka thënë më 13 gusht se hetuesit e FBI-së do të marrin pjesë në këto hetime, pas ftesës së bërë nga autoritetet e Libanit.
Ai i ka bërë të ditura këto detaje përgjatë një vizite në lagjen e shkatërruar nga shpërthimit të javës së kaluar, që ka lënë të vdekur më shumë se 170 persona dhe ka plagosur më shumë se 6,000 të tjerë.
Si pasojë e shpërthimit, rreth 300,000 persona besohet se kanë mbetur të pastrehë.
“FBI-ja do t’iu bashkohet shumë shpejt hetuesve libanezë dhe atyre ndërkombëtarë, me ftesë të Libanit, në mënyrë që të ndihmojmë në gjetjen e përgjigjjeve për pyetjet që e dimë se të gjithë i kanë rreth kushteve që kanë nxitur këtë shpërthim”, ka thënë Hale.
Përgjatë vizitës së tij treditore, Hale pritet të theksojë nevojën që Libani të kryejë forma të mëdha politike.
Shpërthimi i 4 gushtit ka rritur shkallën e zemërimit ndaj liderëve të Libanit, i cili përballet me krizë ekonomike dhe pandemi të koronavirusit.
Shpërthimi është thënë të ketë ndodhur si pasojë e ndezjes së 2,750 tonëve të nitratit të amonit, që ka qëndruar në portin e Bejrutit për gjashtë vjet në mënyrë të pasigurt.
Qeveria e Libanit, në krye me Hassan Diab ka thënë dorëheqje më herët gjatë kësaj jave, pas disa ditëve të protestave në rrugë.
Parlamenti i Libanit ka miratuar të enjten shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, duke i dhënë ushtrisë fuqi për të shpallur orë policore, të ndalojë organizimet në rrugë si dhe të censurojë mediat.
Organizata Ndërkombëtare, Human Rights Watch ka shprehur shqetësim se kjo masë do të shërbejë “si arsyetim për shtypje të protestave dhe do të hedhë poshtë ankesat legjitime të një pjesë të popullsisë së Libanit”.
Fraksion.com